Një person i prezantuar si inspektor pranë Inspektoratit të Shëndetësisë, ka rënë në prangat e Policisë, me urdhër të SPAK, pasi akuzohet se, shkonte për kontroll në subjekte të ndryshme, tregtarë në qytetin e Tiranës, tek të cilët ushtronte presion se nuk kishin licencimin e duhur për vijimin e aktivitetit.
Gjoba në këto raste shkonte deri në 1.000.000 (një milion) lekë, si dhe me mbylljen e biznesit deri në likuidimin e kësaj mase administrative.
Në pranga ka rënë shtetasi M. M, me detyrë Inspektor pranë Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, të cilit, gjatë arrestimit, iu sekuestrua dhe shuma monetare prej 200 mijë lekësh, e përftuar në mënyrë të paligjshme.
“Prokuroria e Posaçme po më datë 24.05.2023, ka regjistruar kryesisht procedimin penal me Nr.126/2023 për konsumimin e elementëve të veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal. Hetimet për këtë procedim penal janë realizuar në bashkëpunim me strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Policisë së Shtetit. Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera për interesa të këtij procedimi penal, më datë 25.05.2023, është finalizuar arrestimi në flagrancë i shtetasit M.M, me detyrë Inspektor pranë Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, të cilit iu sekuestrua dhe shuma monetare prej 200.000 (dyqind mijë) lekësh, e përftuar në mënyrë të paligjshme”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.