Në një botë që është gjithnjë e më shumë e ‘pushtuar’ nga internet dhe teknologjia, çështja e sigurisë kibernetike nuk ka qenë kurrë kaq e rëndësishme.
Dhe në një periudhë tensionesh gjeo-politike, njerëzit dhe bizneset po përballen me kërcënimin gjithnjë në rritje të sulmeve kibernetike, që tashmë pjesë e tyre janë bërë edhe fëmijët.
Barbara Gemen, eksperte e sulmeve kibernetike në policinë holandeze ka treguar se i biri ka filluar të hakerojë që në moshën 8-vjeçare, kur dhe po në atë moshë arriti të porosisë online një armë.
“Ai kaloi një muaj duke u përpjekur të kuptonte se si ta porosiste armën dhe ta sillte në shtëpinë tonë nga Polonia, duke u siguruar që të kalonte në doganë pa u kontrolluar”, tregon Gemen e cila kujton ditën që erdhi arma në shtëpi dhe për të ishte një tronditje e madhe kur kuptoi se i biri që porosiste pica, kishte arritur deri aty sa të blinte një armë në një tjetër shtet dhe ti vinte në shtëpi pa asnjë lloj problem.
“Ai filloi të zgjohej natën për t’u ulur në kompjuter dhe ishte shumë i stresuar. Dhe pikërisht atëherë zbuluam se ai po punonte me një grup hakerësh ndërkombëtarë”.
“Është kaq e lehtë këto ditë, sepse fëmijët kanë laptopë, telefona celularë dhe në thelb, një hakerim bëhet me disa klikime. Problem qëndron kur pjesë e hakerëve bëhen fëmijët dhe të rinjtë pasi shpesh nuk e dinë as çfarë është e ligjshme dhe çfarë nuk është e ligjshme”, thotë ajo.
Lidhja midis lojërave në internet dhe hakerimit
Mike Jones është një studiues i sigurisë, i cili merret me fëmijët që janë identifikuar si “kriminelë të mundshëm kibernetikë”.
Ai shpjegoi se kriminelët e organizuar po synojnë gjithnjë e më shumë fëmijët që luajnë video lojëra dhe i detyrojnë ata të kryejnë sulme kibernetike.
“Krimi i organizuar po shikon në lojëra. kriminelët janë në gjendje të identifikojnë fëmijët që kanë aftësi dhe njohuri”, zbulon Jones.
“Gjëja e parë që bëjnë kriminelët është të fitojnë besimin e fëmijëve duke gjetur gjërat që u pëlqejnë atyre dhe duke parë sa të lidhur janë me teknologjinë. Fëmijët që kalojnë shumë kohë duke u marrë me teknologjinë, nuk kanë shokë në shkollë dhe nuk janë pjesë e grupeve shoqërore”, thotë Jones duke shtuae se lojërat në internet dhe hakerimet janë të lidhura me njëra-tjetrën.
Kelli Dunlap, Psikologe Klinike, thotë se hakerët e rinj janë të pashqetësuar ndaj kryerjes së sulmeve të rrezikshme dhe të paligjshme, sepse truri i tyre nuk është plotësisht i zhvilluar.
“Adoleshentët nuk mendojnë për dëmin që mund të shkaktojnë, njësoj si edhe fëmijët. Truri i tyre zhvillohet me shpejtësi dhe aftësia e tyre për të mësuar gjëra të reja dhe për t’u përshtatur është vërtet mahnitëse”, tha ajo.
Megjithatë, ka pjesë të trurit që atyre u mungojnë, dhe ato pjesë lidhen me gjëra të tilla si parashikimi i pasojave. Kjo është vetëm një gjendje neurologjike që nuk është zhvilluar ende si pjesë e trurit të tyre.
Christian Funk, ekspert në Kërkimin dhe Analizën Globale, argumenton se të rinjtë tërhiqen nga krimi kibernetik për të provuar veten para bashkëmoshatarëve të tyre.
“Hakerimi ka një lloj atmosfere mitike. Ka një faktor fantastik. Kjo, natyrisht, është edhe për shkak të shumë serialeve dhe filmave dhe mënyra si po portretizohen hakerat”, thotë Funk.
Kjo tërheq shumë të rinj që mund të duan të provojnë egon e tyre ose të forcojnë egon e tyre, mund të duan të fitojnë ndoshta një ‘pozitë’ në shoqëri dhe të mburren se dijnë të hakerojnë, edhe në një moshë të vogël.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



