Debutimi i ChatGPT në nëntor ka nxjerrë në pah përparimin e arritur nga modelet e IA(inteligjenca artificiale.)
Me aftësinë për të shkruar, për të kodifikuar, për të krijuar biznese e shumë të tjera, nuk ka dyshim se chatbot AI janë në gjendje të kryejnë shumë funksione njerëzore.
Aftësitë e jashtëzakonshme të chatbot IA shkaktojnë frikën se Inteligjenca Artificiale mund të zëvendësojë vendet e punës të njerëzve. Por një raport i fundit tregon se, në vend që t’i frikësohen zëvendësimit të vendeve të punës nga IA, njerëzit e mirëpresin atë.
Raporti Work Trend Index 2023 i Microsoft anketoi 31.000 persona nga 31 vende, duke analizuar tregues të produktivitetit të Microsoft 365 dhe tendencat e punës së LinkedIn Economic Graph, për të kuptuar më mirë ndikimin e Inteligjencës Artificiale te forca e punës.
Sipas sondazhit, ndërkohë që 49% e të anketuarve shfaqën frikën e humbjes së vendit të punës për shkak të IA, 70% deklaroi se do t’i delegonin sa më shumë punë të ishte e mundur IA, në mënyrë që të reduktonin ngarkesën e punës.
“Është e pabesueshme që njerëzit janë më shumë entuziastë që IA do t’i shpëtojë nga burnout se sa të shqetësuar se do të eliminojë vendet e tyre të punës” – deklaroi Adam Grant, profesor i psikologjisë organizative dhe autor i raportit.
Punonjësit do të ishin të gatshëm të merrnin ndihmë në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë punët administrative (76%), analitike (79%), punë krijuese (73%), kërkimi i informacioneve të duhura (86%), përmbledhja e takimeve dhe pikave të veprimit (80%) dhe madje, edhe planifikimi i ditës (77%).
Raporti vlerësoi sesi drejtuesit e shihnin IA në drejtim të reduktimit të numrit të punonjësve.
Pyetjes se çfarë vlerësojnë më shumë tek IA në vendin e punës, (31%) u përgjigjën se “do të rriste produktivitetin e punonjësve”.
Rezultatet e këtij raporti mund të ndihmojnë në zbutjen e tensioneve mbi sigurinë e punës në botën e zhvillimeve të shpejta të IA.
Megjithatë, rreziqe të tjera që lidhen me përdorimin e IA janë ende të pranishme, duke përshirë mundësinë se mund të shkaktojë katastrofa botërore.
Burimi: Zdnet/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




