Njerez

A na bën personaliteti që të jemi të varur nga ilaçet?

A janë disa njerëz më të prirur për të zhvilluar një varësi?

Gjatë viteve 1990, termi “personalitet i varur” u përdor nga disa kompani farmaceutike, ndoshta për ironi, për të promovuar ilaçet kundër varësisë.

Ndërsa tregtonte ilaçin OxyContin, për shembull, kompania farmaceutike amerikane Purdue Pharma udhëzoi përfaqësuesit e tyre t’u tregonin mjekëve se vetëm njerëzit me “personalitet të varur” rrezikoheshin të bëheshin të varur, pavarësisht se e dinin se ishte një ilaç që krijonte shumë varësi dhe se njerëzit abuzonin me përdorimin e tyre.

Ilaçet si OxyContin dhe fentanili opioid njihen për nxitjen e krizës së opioideve në SHBA, e cila shkaktoi më shumë se gjysmë milioni vdekje midis 1999 dhe 2020.

“Ideja se personaliteti juaj përcakton nëse bëheni apo jo të varur nga një substancë ka qenë prej kohësh një plus i madh për industrinë farmaceutike”, thotë Ian Hamilton, profesor për varësinë në Universitetin e York-ut në Britani.

“Mesazhi është qe nëse një pacient është aq i dobët për të krijuar një problem me produktin tonë, kjo është për shkak të personalitetit tyre dhe jo për shkak të produktit”, thotë Hamilton.

Por a ekziston diçka e tillë si një personalitet i varur? A janë disa njerëz me të vërtetë më të prirur për të zhvilluar një varësi?

Shumë psikiatër dhe ekspertë të varësisë thonë se nuk ka prova shkencore që mbështesin idenë. Ata gjithashtu paralajmërojnë se koncepti është i dëmshëm pasi tregon që njerëzit kanë pak ose aspak kontroll nëse bëhen të varur apo jo.

Ata vënë në dukje se ka disa lidhje midis disa tipareve të personalitetit dhe varësisë, por këto janë shumë më komplekse nga sa tregon shpesh pretendimi i “personalitetit të varur”.

Mark Griffiths, profesor i sjelljes në Universitetin Nottingham Trent në Britani, e përshkruan “personalitetin e varur” si një “mit të madh”.

“Nëse themi se ekziston një term si ‘personaliteti i varur’, i bie që ta pranojmë se ka ekziston edhe një tipar i joni që parashikon varësinë dhe vetëm varësinë”, thotë Griffiths.

“Nuk ka asnjë provë shkencore se ekziston një tipar që parashikon varësinë”.

“Personaliteti i varur është një mënyrë e të menduarit bardh e zi për diçka që është shumë komplekse”, thotë Anshul Swami, psikiatër, duke shtuar se kjo nuk do të thotë se disa tipare të personalitetit nuk lidhen me zhvillimin e sjelljeve të varësisë.

Siç thekson Hamilton, mund të jetë “shumë e vështirë” të zgjidhet tipari që vjen i pari kur bëhet fjalë për një varësi nga substanca të ndryshme.

Ajo që ndoshta bën një ndryshim është fakti se njerëzit që bëhen të varur nga ilaçet kanë nivele të larta të depresionit ose ankthit.

“Varësitë kanë shumë faktorë”, thotë Swami. Hulumtimet tregojnë se varësitë mund të ndikohen si nga gjenetika ashtu edhe nga një gamë e gjerë faktorësh mjedisorë, duke përfshirë presionin e bashkëmoshatarëve, ekspozimin e hershëm ndaj substancave dhe abuzimin fizik ose seksual.

Gjinia është një tjetër faktor rreziku për varësinë. Në SHBA, 11.5% e burrave dhe djemve kanë varësi nga abuzimi me substancat krahasuar me 6.4% të grave.

Ka disa arsye, thotë Hamilton. “Burrat, veçanërisht djemtë adoleshentë, priren të jenë më impulsivë”, thotë ai.

Impulsiviteti është një tjetër tipar që lidhet me varësinë. Por Hamilton paralajmëron se mund të ketë boshllëqe të konsiderueshme të të dhënave pasi gratë kanë më pak gjasa të kërkojnë trajtim për shkak të problemeve të kujdesit për fëmijët dhe stigmës.

Hulumtimet tregojnë se mjedisi dhe edukimi i një personi gjithashtu ndikon fuqishëm në rrezikun e tyre për varësi.

Sipas një studimi të vitit 2022, njerëzit që përjetuan katër përvoja si abuzimi fizik, seksual, emocional ose humbja e një prindi, kishin tre herë më shumë gjasa të raportonin se kishin probleme me varësinë në moshë madhore.

“Faktorët psikosocialë si dhuna, abuzimi seksual dhe neglizhenca emocionale janë të lidhura fort me varësinë”, thotë Swami.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë