Nga Gazeta ‘SI’ – Bonot e thesarit me maturim 12-mujor vazhdojnë të tërheqin investitorët edhe pse yield-i është përsëri në rënie.
Në ankandin e fundit, yield-i mesatar i bonove 12-mujore zbriti në në 3.75%, nga 3.82% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.
Nga vlera e shpallur 9 mld lekë, u kërkuan 14.3 mld lekë dheu pranuan 8.99 mld lekë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë stopoi rritjet e shpejta e të normës bazë të interesit, duke parë sinjalet rënëse të inflacionit që uli edhe normën e yield-eve për titujt e borxhit. Kërkesa e lartë po i mban yield-et e ulëta edhe pse BSH shtrëngoi përsëri politikën monetare.
Yield-et e ulëta të titujve janë lajm i mirë për qeverinë e cila u kthyen investitorëve paratë, por edhe për huamarrësit me normë të ndryshueshme interesi, në lekë.
Më herët Banka e Shqipërisë shpjegoi se rënia e inflacionit dhe kërkesa e lartë për titujt e borxhit të qeverisë po ulin yield-et e letrave me vlerë.
Kjo tendencë nisi fillimisht me bonot dhe më pas obligacionet, që në fund të muajit dhjetor 2022 dhe po vazhdon në të njëjtën linjë deri tani.
“Që prej fillimit të ciklit shtrëngues të politikës monetare, yield-et janë karakterizuar nga luhatje të theksuara, duke shfaqur shpesh një mbireagim ndaj rritjeve të normës bazë. Ulja e inflacionit në muajin e fundit dhe rikthimi i kërkesës së lartë për instrumentet e borxhit të qeverisë frenuan prirjen rritëse të yield-eve dhe u materializuan me ulje të yield-it”, thuhet në raportin e Politikës Monetare.
Sipas BSH-së, këto janë shenja pozitive duke treguar se investitorët presin lehtësim të inflacionit në vend dhe stabilitet të normave të interesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




