“Në Shqipëri, mbështetja për bujqësinë është dyfishuar dhe kjo nuk ka ardhur vetëm nga financimi i drejtpërdrejtë për fermerët, por edhe nga një sërë investimesh në infrastrukturën bujqësore që është edhe më e rëndësishme se në vendet e tjera për shkak të klimës që kemi”.
Kështu u shpreh sot në një intervistë televizive, Fatmir Guri, profesor në Universitetin Bujqësor të Tiranës, përgjegjës në Departamentin e Ekonomisë dhe Politikave të Zhvillimit Rural, ku bëri të ditur se, “nëse në vitet 2017-2019 niveli i mbështetjes për bujqësinë shkonte rreth 2.6 miliardë lekë, në vitin 2022 kjo mbështetje financiare është tejkaluar në dyfishim fondesh”.

Sipas tij, rritja e mbështetjes për bujqësinë ka ardhur, në përgjigje të vështirësive të rëndësishme që shënuan tregjet dhe inputet, nga kriza e luftës në Ukrainë.
“Në këto kushte edhe mbështetja ka qenë e konsiderueshme duke lehtësuar fermerët në uljen e kostove të prodhimit”, tha Guri.
Profesori e argumentoi këtë, me numrin rekord të aplikimeve që regjistroi ky vit për të gjitha skemat e mbështetjes në bujqësi.
“Fermerët janë shpërblyer dhe e shohin si mundësi për rritjen e aktivitetit të tyre ekomomik”, deklaroi Guri, teksa vuri në dukje se, një sërë projektesh janë në zbatim bashkë me donatorët në fushën e bujqësisë në Shqipëri (sisteme vaditje, kanale kulluese, tregje, rrugë rurale etj) që po ndikojnë në ecurinë pozitive të bujqësisë dhe rritjen e kontributit të këtij sektori në PBB, punësim dhe rritje të ardhurash në ekonominë rurale./ Marrë nga ATSH
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




