Treg

Transporti i pasagjerëve u rrit ndjeshëm në tre muajt e parë të vitit. Në ecuri të mirë edhe portet

Nga Gazeta ‘Si’-Gjatë tremujorit të parë të vitit ndonëse numri i pasagjerëve përmes ajrit ka shënuar rritje të ndjeshme, volumi i mallrave është tkurrur.

Për tre muajt e parë të 2023-shit, sipas të dhënave të INSTAT, në hapësirën ajrore shqiptare kanë fluturuar 45.087 avionë.

Numri i mbikalimeve në hapësirën ajrore shqiptare rezultoi 36.701, duke u rritur me 38.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Nga janari në mars kanë udhëtuar me linja ajrore 1.166.000 pasagjerë, duke u rritur me 53.5% në krahasim me të njëjtin tremujorit të vitit të shkuar.

Nga ana tjetër, volumi i mallrave ka rënë me 6.8%.

Volumi i tyre (duke përfshirë postën) të hyrë dhe të dalë nëpërmjet transportit ajror rezultoi 449.7 tonë, nga të cilat 77.3% janë mallra të hyrë dhe 22.7% janë mallra të dalë. 

Transporti detar, me rritje nga Porti i Durrësit

Volumi gjithsej i mallrave të transportuara nga porti i Durrësit është rritur me 14.3%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Për tre muajt e parë, 95.9 % e volumit të mallrave të transportuar me det, ose 1.553 mijë tonë mallra janë transportuar nga porti i Durrësit.

Numri i anijeve të hyra dhe të dala nga portet në vend rezulton 194 anije, ku nga këto 170 anije janë të huaja dhe 24 anije vendase.

Numri i anijeve të hyra dhe të dala në porte është ulur me 9.3%, ku numri anijeve të huaja është ulur me 1.7%, krahasuar me tremujorin e parë të 2022-shit.

Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar nëpërmjet porteve detare në vend është 138.242 duke shënuar rritje me 13.9%, krahasuar me tremujorin e parë 2022.

Porti i Durrësit është porti kryesor në vend nga i cili kanë udhëtuar 79.5% e pasagjerëve, më pas vjen porti i Vlorës me 15.7% dhe porti i Sarandës me 4.8%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë