Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i bëri thirrje Bankës Qendrore Europiane që të vazhdojë të rrisë normat e interesit deri në mesin e vitit 2024, dhe kërkoi nga ministrat e Financave të Bashkimit Europian të ashpërsojnë politikat fiskale përmes veprimeve të bashkërenduara për të ulur nivelin e inflacionit.
Kreu i FMN-së për Europën, Alfred Kammer, tha se niveli i lartë i inflacionit është shqetësimi më i madh.
Ai këto komente i bëri më 28 prill para një takimi me ministrat e Financave të BE-së dhe guvernatorët e Bankës Qendrore Europiane.
“Rekomandimi ynë kryesor, sa i përket politikave, është ta mposhtim inflacionin dhe kjo nënkupton se duhet të përdorim instrumentin e politikës monetare. Për Bankën Qendrore Europiane kjo nënkupton shtrëngim të mëtejshëm, për një periudhë më të gjatë, ne vlerësojmë deri në mesin e vitit 2024, në mënyrë që të ulet inflacioni deri në synimin e caktuar diku në vitin 2025”, tha Kammer.
“Inflacioni është taksë, veçmas për të varfërit, dhe ne duhet ta luftojmë”, shtoi ai.
Për të ulur inflacionin, Banka Qendrore Europiane ka rritur në mënyrë agresive normat e interesit, duke i çuar ato nga zero sa ishin në mesin e vitit 2022, në 3.5 për qind në mars të këtij viti, por tregjet presin që kjo politikë të vazhdojë përtej vitit 2023.
Kammer tha se ministrat e Financave të BE-së duhet të ndihmojnë Bankën Qendrore Europiane duke reduktuar stimujt fiskalë për ekonominë që ata përdorën gjatë pandemisë COVID-19 dhe vazhduan me aplikimin e tyre gjatë krizës së kostos së jetesës të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës.
Inflacioni në 20 shtetet që përdorin euron ishte 6.9 për qind në mars – krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të mëparshëm– por, inflacioni bazë, që përjashton luhatjet e mëdha në çmimet e energjisë dhe ushqimit, ishte 7.5 për qind.
“Inflacioni nuk mund të luftohet vetëm nga Banka Qendrore, na duhen politika fiskale që e mbështesin atë”, tha Kammer dhe shtoi se një ulje e deficitit buxhetor në shtetet e BE-së nuk u jetësua për shkak se pakot e ndihmës, që qeveritë dhanë për qytetarët për t’u përballur me çmimet e larta të energjisë, ishin në fuqi për një periudhë më të gjatë”, tha ai.
Çështja e balancës midis politikave monetare dhe fiskale, si dhe inflacioni janë në agjendën e bisedimeve të ministrave të Financave të BE-së dhe guvernatorëve të Bankës Qendrore, të cilët do të takohen në Stokholm të premten dhe të shtunën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




