Europa nuk po i mbron fëmijët nga ndotja e ajrit, duke i ekspozuar pothuajse të gjithë fëmijët në Europë ndaj ajrit që është nën standardet e shëndetshme.
Agjencia Europiane e Mjedisit (EEA) gjatë një deklarate ka thënë se qeveritë kanë vonesa në pastrimin e burimeve të ndotjes dhe kjo shkakton vdekjen e parakohshme të të paktën 1200 fëmijëve në të gjithë Europën çdo vit, dhe mijëra të tjerë preken nga probleme të shëndetit fizik dhe mendor.
Gerardo Sanchez Martinez, ekspert mjedisi në EEA thotë se fëmijët janë më të ekspozuar ndaj ndotjes dhe më delikatë.
“Ne po dështojmë me mbrojtjen e fëmijëve nga ndotja e ajrit. Ndotja mund të ketë një ndikim të përhershëm në zhvillimin e tyre dhe ndikimet fillojnë para lindjes, me studime që lidhin ndotjen me peshën e ulët të foshnjës dhe lindjen e parakohshme”.
Ekspozimi ndaj niveleve të larta të ndotësve në fëmijëri është treguar se dëmton mushkëritë, shkakton astmë, çon në nivele më të larta të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe infeksioneve të veshit dhe rrit rrezikun e alergjive, që gjithashtu mund të ndikojnë në zhvillimin e trurit.
Fëmijët janë më të ekspozuar ndaj ajrit të ndotur sesa të rriturit sepse kanë një ritëm më të shpejtë të frymëmarrjes, janë më afër tokës dhe janë më shumë jashtë.
Hans Bruyninckx, drejtor ekzekutiv i EEA, u bëri thirrje vendeve të bëjnë më shumë.
“Nivelet e ndotjes së ajrit në të gjithë Europën janë ende të larta dhe politikat europiane të cilësisë së ajrit duhet të synojnë të mbrojnë të gjithë qytetarët, por veçanërisht fëmijët, të cilët janë më të cenueshëm ndaj ndikimeve shëndetësore të ndotjes së ajrit”, tha ai.
“Është urgjente që ne të vazhdojmë të shtojmë masat në BE, në nivel kombëtar dhe lokal, për të mbrojtur fëmijët tanë, të cilët nuk mund të mbrojnë veten. Mënyra më e sigurt për t’i mbajtur ata të sigurt është duke e bërë më të pastër ajrin që thithim të gjithë”.
Reduktimi i burimeve të ndotjes së ajrit, duke përfshirë trafikun rrugor, djegien e qymyrit dhe lëndëve djegëse të ngurta, dhe emetimet industriale, është thelbësor por duhet të ndërmerren veprime për të reduktuar rreziqet specifike për fëmijët, sipas EEA. Këto mund të përfshijnë vendosjen e zonave me ajër të pastër përreth shkollave, duke kufizuar trafikun apo duke mbjellë pemë rreth këndeve të lojërave.
Në të gjithë Europën, 97% e popullsisë, të të gjitha moshave, u ekspozuan ndaj niveleve të ndotjes së ajrit më të larta se ato që konsideroheshin të sigurta nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, sipas EEA.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




