Nga Gazeta ‘SI’ – Enti Rregullator i Energjisë ka licensuar 22 subjekte të reja të prodhimit të energjisë gjatë gjithë vitit 2022, nga të cilat 15 janë fotovoltaike. Kapaciteti total i prodhimit shkon deri në 289.392 MW dhe mbi 227 mijë MW i përket projekteve solare.
Sipas renditjes që bën ERE, Korça dhe Fieri duken dy qytetet më të preferuara për investitorët në energjinë diellore, duke mbajtur dhe numrin më të lartë të projekteve në nivel kombëtar.
Me 15 licensat e reja për prodhimin e energjisë diellore, numri i impianteve fotovoltaike në vend arrin 27. Gjithsesi, për vitin e shkuar, impiantet ekzistuese prodhuan vetëm 50 mijë MWh energji nga 7 mln MW (ose 7.000 GW) që ishte totali i prodhuar në Shqipëri.
Rritje të interesit ka pasur edhe nga konsumatorët familjarë, trend që nisi vrullshëm vjeshtën e 2022-shit, pas një paralajmërimi për vendosjen e një fashe konsumi, në kuadër të krizës energjetike. Gjatë vitit ka pasur rreth 141 aplikime për konsumatorët familjarë, të cilët kanë instaluar panele fotovoltaike dhe përbëjnë 24% të numrit total të konsumatorëve vetëprodhuesve të rinj gjatë kësaj periudhe. Gjatë vitit 2022 ka pasur rreth 438 aplikime për konsumatorët jofamiljarë të cilët kanë të instaluar panele fotovoltaike të cilët përbëjnë 76% të numrit total të konsumatorëve vetëprodhues.
Nga të dhënat e grumbulluara rezulton se sasia e prodhuar nga vetëprodhuesit në vitin 2022 (për 579 aplikime) sasia e prodhuar është rreth 12.7 mijë MWh , ndërkohë që në vitin 2021 (për 319 aplikime) vetëprodhuesit kanë prodhuar një sasi rreth 2.6 mijë MWh. Rritja e prodhimit, të energjisë elektrike nga ato në raport vjetor, është rreth 78%.
Rezulton se Durrësi dhe Tirana janë zonat në të cilat ka patur me shumë impiante fotovoltaike të instaluara për konsumatorët vetëprodhues. Kjo lidhet me potencialin e madh të këtyre zonave për të garantuar rendiment të njësive prodhuese fotovoltaike për shkak të numrit të ditëve me diell, të domosdoshme për këto lloj teknologjie.
Prodhimi total i energjisë
Në prodhimin e energjisë, kontributin kryesor vazhdon ta mbajë sektori publik, KESH, me 55% të të gjithë prodhimit të energjisë, ndonëse ka një rënie me rreth 5%. Prodhimi i energjisë elektrike nga prodhuesit e tjerë zë rreth 45%.
Nga analiza e historikut të prodhimit të energjisë elektrike të regjistruar në vend, viti 2022 me sasinë e prodhuar prej 7 mijë GWh, rezulton mbi mesataren e prodhimit të energjisë elektrike, të paktën për 13 vjeçarin e fundit. Mesatarja e prodhimit të energjisë elektrike për periudhën 2009 – 2022 ka rezultuar rreth 6 mijë GWh.

Prodhimi i realizuar për vitin 2022 është rreth 861 GWh, ose 14 % më i lartë se mesatarja e prodhimit te energjisë elektrike për periudhën e lartpërmendur. Gjithsesi prodhimi vendas ka qenë i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjithë nevojën energjetike që pati Shqipëria.
Prodhimi maksimal mujor i energjisë elektrike për vitin 2022 është shënuar në muajin dhjetor në sasinë 1 mln MWh , Ndërkohë që prodhimi minimal mujor i energjisë elektrike gjatë vitit 2022 rezulton në muajin Qershor në sasinë 380.550 MWh.
“Duke marrë në konsideratë faktin se vendi ynë e bazon prodhimin e energjisë elektrike kryesisht në burimet hidrike, në vitet e mira hidrologjike ku bën pjesë edhe viti 2022, prodhimi i energjisë elektrike është më i lartë se mesatarja shumë vjeçare në periudhën 2009 – 2022. Prodhimi i energjisë elektrike për vitin 2021 ka rezultuar në sasinë 8.9 mln MWh, pra më i lartë se mesatarja shumëvjeçare dhe ndjeshëm më i lartë edhe se prodhimi i energjisë elektrike për vitin 2022. Prodhimi i energjisë elektrike për vitin 2022 ka rezultuar në sasinë prej 1.9 GWh më i ulët se ai i realizuar përgjatë vitit 2021”, -thekson Enti në raportin vjetor.
Ndonëse përshkruhet si vit pozitiv, prurjet mesatare në Kaskadën e Drinit ishin më të ulëta se një vit më parë, por edhe nga mesatarja historike . Prurjet mesatare janë mbi 172 m3 /s, ose 26% më të ulta në krahasim me vitin 2021, që ishin rreth 233 m3 /s. Kurse në krahasim me mesataren 20 vjeçare prej 181 m3 /s, janë 5 % më të ulta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




