Ushqim

Ndryshon receta zyrtare e salcës bolonjeze

Receta zyrtare për salcën bolonjeze, ndoshta pjata më e njohur italiane është përditësuar për herë të parë në 40 vjet për të marrë parasysh ndryshimin e shijeve dhe disponueshmërinë e përbërësve në dyqane.

Akademia Italiane e Kuzhinës ka paraqitur një version të ri në Dhomën e Tregtisë së Bolonjës, duke përshtatur recetën origjinale me zakonet e konsumit të familjeve të sotme.

Dallimi kryesor në lidhje me recetën e parë të paraqitur më 17 tetor 1982 është përdorimi i mishit. E ashtuquajtura “cartella” (diafragma e viçit), nuk gjendet më lehtësisht në supermarketet e qytetit dhe për këtë familjet kanë filluar të përdorin gjithnjë e më shumë mishin e grirë që ofrojnë dyqanet.

Receta e re kërkon përdorimin e vajit të ullirit ekstra të virgjër, mish të grirë nga kofsha e viçit, pançetë e freskët, qepë, selino dhe karota, verë e bardhë ose e kuqe, salcë domateje, një gotë qumështi opsional ose lëng mishi.

Nuk lejohen absolutisht përbërës në këtë recetë si proshuta e tymosur, mishi i derrit, hudhra, rozmarina, majdanozi, rakia në vend të verës dhe mielli.

Midis variacioneve të lejuara është përdorimi i mëlçive të pulës, zemrat, sallami i derrit i prerë hollë, bizelet e zbardhura të shtuara në fund të gatimit dhe kërpudhat.

Roberto Ariani, sekretari i përgjithshëm i Akademisë Italiane të Kuzhinës, shtoi: “Në 40 vjet, gatimi ka ndryshuar. Ajo që ishte pranuar në të kaluarën mund të mos vlerësohet tani. Kjo është arsyeja pse ne vendosëm të modifikojmë recetën.”

Ekspertët e Akademisë këshillojnë që mishi i grirë të skuqet veçmas. Ata pranojnë se disa mund të ofendohen nga ndryshimet.

“Ky dokument nuk ka për qëllim të jetë receta e vetme, por është një rekomandim për t’u ndjekur,” tha Atos Cavazza, një përfaqësues i degës së akademisë së Bolonjës.

Burimi: The Times/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë