Mbajtja e aparateve të dëgjimit mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të demencës, sipas një studimi të madh dhjetëvjeçar, i cili sugjeron se trajtimi i hershëm i humbjes së dëgjimit mund të ndihmojë në uljen e numrit të madh të personave që vuajnë nga kjo sëmundje.
Demenca është një nga kërcënimet më të mëdha shëndetësore në botë. Numri i njerëzve që jetojnë me këtë gjendje në mbarë botën parashikohet të trefishohet në 153 milionë deri në vitin 2050, dhe ekspertët kanë thënë se kjo paraqet një kërcënim të madh për sistemet e ardhshme shëndetësore.
Njerëzit me humbje të dëgjimit që nuk përdorin aparat dëgjimi mund të kenë një rrezik më të lartë të demencës sesa njerëzit pa humbje dëgjimi, sugjeron hulumtimi. Por sipas studimit të ri, përdorimi i një aparati dëgjimi mund ta zvogëlojë këtë rrezik në të njëjtin nivel me njerëzit pa humbje dëgjimi.
Studimi u botua në revistën e shëndetit publik The Lancet. Ai vjen pasi Lancet publikoi në vitin 2020 një studim që tregonte se humbja e dëgjimit mund të lidhet me rreth 8% të rasteve të demencës në mbarë botën.
“Analizat treguan se humbja e dëgjimit mund të jetë faktori më me ndikim për demencën por efektiviteti i përdorimit të aparatit të dëgjimit në reduktimin e rrezikut të demencës mbeti i paqartë”, tha Dongshan Zhu, profesor.
“Studimi ynë ofron provat më të mira deri më tani që sugjerojnë se aparatet e dëgjimit mund të jenë një trajtim minimal dhe me kosto efektive për të zbutur ndikimin e mundshëm të humbjes së dëgjimit në demencë”.
Studiuesit shikuan të dhënat nga 437,704 njerëz që morën pjesë në studimin e Biobank në Mbretërinë e Bashkuar. Mosha mesatare ishte 56 vjeç dhe koha mesatare e ndjekjes ishte 12 vjet.
Studiuesit zbuluan se krahasuar me njerëzit me dëgjim normal, ata me humbje dëgjimi që nuk përdornin aparate dëgjimi kishin një rrezik 42% më të lartë të demencës nga të gjitha shkaqet. Nuk kishte rrezik në rritje te njerëzit që përdornin aparate dëgjimi.
“Gjetjet tona theksojnë nevojën urgjente për përdorimin e aparateve të dëgjimit kur dikush fillon të përjetojë dëmtim të dëgjimit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




