Shendet

Kina regjistron vdekjen e parë nga gripi i shpendëve H3N8

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar vdekjen e parë tek njerëzit nga lloji H3N8 i gripit të shpendëve.

Gruaja që ndërroi jetë ishte nga provinca Guangdong në Kinën juglindore. Ajo u sëmur më 22 shkurt, u shtrua në spital për pneumoni të rëndë më 3 mars dhe vdiq më 16 mars.

H3N8 ka qarkulluar që nga viti 2002, pasi u shfaq për herë të parë në shpendët e ujit të Amerikës së Veriut dhe nuk ishte zbuluar te njerëzit përpara se të shfaqeshin dy raste jo fatale, të dyja në Kinë, në prill dhe maj të vitit të kaluar.

Organizata botërore e shëndetësisë ka thënë se pacientja kishte disa komplikacione dhe një histori të gjatë ekspozimi ndaj shpendëve.

Asnjë kontakt i afërt i të ndjerës nuk ka pasur simptoma të sëmundjes në kohën e raportimit dhe mbetet ende e paqartë se cili është burimi i saktë i këtij infeksioni dhe si lidhet ky virus me viruset e tjera të gripit të shpendëve.

Nga dy rastet vitin e kaluar, njëri u infektua rëndë, ndryshe nga rasti i dytë që kaloi një infeksion të lehtë. Të dy rastet mund të jenë infektuar nga ekspozimi direkt ose indirekt ndaj shpendëve të infektuar.

“Duket se ky virus nuk ka aftësinë të përhapet lehtësisht nga personi në person dhe për këtë arsye rreziku i përhapjes së tij midis njerëzve në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar konsiderohet të jetë i ulët”, thotë organizata.

Sidoqoftë, OBSH bën thirrje që të mbahet në monitorim globalisht për shkak të natyrës në zhvillim të vazhdueshëm të viruseve të gripit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë