Nga Gazeta ‘SI’ –Zv/Kryeministrja dhe Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku u ka bërë thirrje të gjithë prodhuesëve dhe tregtuese të energjisë që të besojnë në sistemin e bursës dhe të ndihmojnë në funksionalitetin e saj. Në prezantimin e ankandit të parë të Alpex, Balluku tha se bursa përmbush të gjithë parametrat teknikë të bursave europiane.
“Po finalizojmë një punë 5-vjeçare, por kjo nuk do të thotë se mbaroi. Tani nisi një luftë e re, për krijimin e likuiditeteve që ka nevojë bursa. Ne vazhdojmë të synojmë mbrojtjen e konsumatorit dhe biznesit të vogël, por askush nuk e di se çdo të ndodhë gjatë muajve të verës”, tha Balluku.
Në prezantim ishte edhe ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, e cila tha se me ndihmën amerikane sektori energjetik shqiptar po rrit transparencën dhe konkurrencën.
“SHBA po e ndihmon sektorin energjetik shqiptar për të rritur transparencën dhe konkurrencën. Do të ketë më shumë furnizim dhe çmime më të lira. Lidhja e tregut Shqipëri-Kosovë do ta bëjë më të fortë atë”, u shpreh Kim.
Në takim ishte edhe ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, e cila tha se Kosova pret që në shtator të bëjë ankandin e saj të parë nëpërmjet Alpex.
“Ky bashkëpunim nga kompanitë tona ka rrënjët mes qeverive tona. Alpex që po përurojmë sot është jetësim i këtij bashkëpunimi në të ardhmen dhe shkëmbimet e tilla do të bëhen përmes bursës tonë të përbashkët. Tregu i përbashkët siguron mundësi të reja biznesi si edhe më shumë mundësi ndërkufitare. Duke pasur parasysh zhvillimet e deritanishme në këtë proces, presim që në shtator të fillojmë me ankandin e parë që do të tregtohet përmes Alpex përmes zonës tregtare të Kosovës, njëkohësisht edhe bashkimin e tregjeve Kosovë-Shqipëri”, tha ajo.
Zyrtarisht Shqipëria ka bursën e saj energjetike. Nën emrin Alpex (Albanian power Exchange), ankandi i parë i energjisë për ditën në avancë u hap sot, me çmimin më të lartë rreth 190 euro/më në 24 orë dhe çmim mesatar 130 euro. Volumi total në 24 orë është mbi 7 mijë Mwh, por ndryshon sipas orës, njësoj si çmimi.
Bursa është e dyta në rajon pas asaj të Serbisë dhe do të shërbejë edhe për tregun e Kosovës. Administratori i saj është Sokol Dishnica.
Alpex, do të shërbejë si platformë shit-blerje energjie për operatorët dhë do të lëshojë për to fatura sipas pozicionit, shitës apo blerës, me TVSH të përjashtuar.
Kur energjia blihet pa qëllim shitje, apo me qëllim shitje brenda vendit, TVSH është vendosur 20%, nëse blihet për shitje jashtë vendit, përjashtohet nga TVSH.
Deri më tani në Alpex, janë anëtarësuar vetëm ndërmarrje shtetërore, si Furnizuesi i Shërbimit Universal dhe Furnizuesi i Tregut të Lirë, që janë 2 kompani të OSHEE Group, Operatori i Sistemit të Transmetimit, Korporata Elektorenergjetike Shqiptare dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. Nga sektori privat, ende nuk ka kompani të anëtarësuara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




