Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama, njoftoi sot se në Shqipëri do të lejojë zhvillimin e parqeve agrosolarë, përpos atyre fotovoltaike.
Në një inspektim në kantierët e parkut solar “Blue 1” në Fier, Rama tha se kur një tokë nuk do të ketë bonitetin e dëshiruar, ajo do të mund të përdoret si vend ku mund të vendosen panele diellore, ndërkohë që prodhimi bujqësor vazhdon. Sipas Ramës, ky do të jetë një drejtim me shumë zhvillim.
“Kjo është e rëndësishme se ka një fluks kërkesash brenda dhe jashtë. Duhet të kemi diçka parasysh që mos lejojmë terrene prodhuese bujqësore për të vendosur panele, këtë mund ta bëjmë për agrosolarët, që do ishte një vlerë e shtuar. Do ta bëjmë vetëm në ato raste ku sipas përcaktimeve të sakta niveli i pjellshmërisë së tokës të jetë nën prodhimtarinë e dëshiruar. Unë shoh shumë lëvizje në këtë drejtim. Megjithatë do duhet tregu, duhet të garantohet tregu. Volumi i investimeve është gjigant, po ashtu edhe për ta bërë Shqipërinë eksportuese neto është gjithnjë e më tepër realist. Duke filluar nga Skavica, të erës, plus edhe komponentët e tjerë rreth tyre me gazin e lëngshëm që futet në lojë.”- tha Rama.
Duke rikujtuar afrimin e verës, kryeministri tha se do të nisë përsëri fushatat për kursimin e energjisë.
‘Po punojmë në Korçë dhe do japim rrugën e rafinerive që do të na japë mundësi që të kemi një treg të lehtësuar nga këto pesha. E ardhmja është e mirë. Do kishim bërë më tepër investime por çdo ditë paguhen fonde që të kompensohet çmimi. Tani po i afrohemi një momenti të rëndësishëm që është piku i verës që shpërthejnë ventilatorët dhe tubat, prandaj do nisim pak nga pak fushatat e kursimit. Këto janë halle të mirëseardhura në raport me hallet që kemi pasur më përpara.”- tha kryeministri Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




