Treg

Shqipëria me numrin më të madh të makinave elektrike në Ballkan, por rritja ishte më e vogël se rajoni

Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria ka pasur një rritje të fortë të përdorimit të makinave elektrike në vitin 2021, sipas Eurostat, duke u rritur me rreth 75% nga viti 2020, por përsëri më poshtë se rajoni dhe BE-ja.

Në totalin e makinave që përdoren në vend, ato zënë vetëm 0.3%, 624 të tilla. Kjo është shifra më e lartë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Rritjen më të madhe të përdorimit të mjeteve elektrike në Europë e ka shijuar Finlanda, 140% në raport vjetor, por numrin më të madh të makinave e ka Gjermania, 618.460 automjete elektrike. Ndjekur nga Franca me 402.669 dhe Holanda 245.091.

Vendet europiane synojnë që edhe makinat elektrike ta marrin energjinë e tyre nga burime të rinovueshme dhe jo të dëmshme për planetin.

Në BE në vitin 2021, lëndët djegëse përbënin 42% të prodhimit të përgjithshëm bruto të energjisë elektrike, prodhimi i erës, hidro, diellore dhe gjeotermale së bashku korrespondonin me 33 %, ndërsa energjia bërthamore kontribuoi me 25 %.

Në disa vende, energjia elektrike prodhohet nga burimet e rinovueshme, por në raste të tjera, qymyri, linjiti, gazi natyror ose nafta janë lëndët djegëse kryesore. Për shembull, në Islandë, Norvegji dhe Suedi, më pak se 2% e energjisë elektrike të përdorur për karikimin e automjeteve elektrike prodhohet nga lëndët djegëse fosile.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë