Për herë të parë, OBSH ka bërë një ndarje me 4 nivele (niveli 1 më i ulëti dhe niveli 4 më i larti) midis 194 vendeve anëtare të saj për politikat që janë marrë për të reduktuar përdorimin e kripës me 30% deri në vitin 2025.
Në Europë, OBSH shkruan se Çekia, Lituania dhe Spanja janë tre shtetet që kanë arritur pikën 4. Këto vende kanë marrë të paktën dy masa të detyrueshme të zbatuara për reduktimin e kripës, duke përfshirë deklarimin e detyrueshëm e përmbajtjes së natriumit në të gjitha ushqimet e paketuara dhe informimin e popullsisë për rrezikun që sjell përdorimi i tepërt i kripës.
Shqipëria ndërkohë është një nga 16 shtetet që ndodhet akoma në pikën 1, ku është vetëm një “deklaratë” e detyrueshme e sasisë së natriumit në produktet e paketuara por “nuk ka marrë asnjë masë tjetër, (as të detyrueshme) për të arritur të paktën në pikën 3.

Sipas raportit të OBSH, në Shqipëri një person konsumon 12.8 gram kripë në ditë nga 5 gram që duhet të konsumojë sipas udhëzimeve të OBSH.
Vendet e tjera që renditen njësoj si Shqipëria janë Bosnje dhe Hercegovina, Qipro, San Marino, Danimarka, Gjeorgjia, Gjermania, Islanda, Italia, Luksemburg, Maqedonia, Norvegjia, Republika e Moldavisë, Sllovenia, Suedia dhe Zvicra.
Ndërkohë pjesa më e madhe e shteteve në Europë (47%) janë në pikën 3, me politika të detyrueshme për reduktimin e kripës dhe kufizimet e marketingut në paketime.
17 shtete anëtare kanë vetëm politika vullnetare për të reduktuar natriumin.
Në rang botëror, vetëm nëntë vende kishin një rezultat të mirë, që do të thotë se kishin politika gjithëpërfshirëse të reduktimit të natriumit, sipas OBSH-së: Brazili, Kili, Republika Çeke, Lituania, Malajzia, Meksika, Arabia Saudite, Spanja dhe Uruguai.
OBSH shkruan se bota është jashtë ritmit për arritjen e objektivit për të reduktuar marrjen e natriumit me 30% deri në vitin 2025.
Edhe pse të 194 vendet anëtare të OBSH-së u angazhuan për objektivin e vendosur në 2013, vetëm 5% kanë zbatuar politika gjithëpërfshirëse të reduktimit të natriumit, sipas raportit.
“Progresi ka qenë i ngadalshëm dhe vetëm disa vende kanë qenë në gjendje të reduktojnë marrjen e natriumit në popullatë, por askush nuk ka arritur të arrijë objektivin”, tha Francesco Branca, drejtor i Departamentit të Ushqyerjes për Shëndetin.
Natriumi është një lëndë ushqyese thelbësore, por konsumimi i tepërt rrit rrezikun e një personi për sëmundje të zemrës, goditje në tru dhe vdekje të parakohshme, duke llogaritur rreth 2 milionë vdekje në mbarë botën çdo vit.
Në raport shkruhet se marrja mesatare globale e kripës është 10.8 gram në ditë, më shumë se dyfishi i rekomandimit të OBSH-së për më pak se 5 gram në ditë tek të rriturit.
“Ne mund të reduktojmë marrjen e kripës duke vendosur të shtojmë më pak kripë në ushqimin që përgatisim dhe duke vendosur të blejmë ushqime që përmbajnë më pak natrium”, thotë Branca.
Dr. Tom Frieden ish drejtor i Qendrave të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë se raporti “dëshmon se vendet duhet të punojnë urgjentisht për të zbatuar politika ambicioze, të detyrueshme, të udhëhequra nga qeveria për reduktimin e natriumit, për të përmbushur objektivin global të reduktimit të konsumit të kripës deri në vitin 2025”.
Frieden thotë se duhet të veprohet tani ose shumë më tepër njerëz do të përjetojnë sulme në zemër ose goditje në tru për shkak të konsumimit të tepërt të kripës.
“Politika të tjera për reduktimin mund të shpëtojnë rreth 7 milionë jetë globalisht deri në vitin 2030 dhe të reduktojnë marrjen e natriumit me mbi 20%”, shkruan OBSH.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




