Shendet

Si të përballohet sindroma e “perëndimit të diellit” nga personat me demencë

Me perëndimin e diellit, disa pacientë bëhen konfuzë, shqetësohen apo edhe kanë halucinacione. Por çfarë është sindroma e “perëndimit të diellit” dhe si mund të përballohet.

Kur afrohet mbrëmja, kujdestarët e pacientëve me demencë dinë të jenë të kujdesshëm për perëndimin e diellit pasi pacientët mund të fillojnë të kenë simptoma si acarim, agresion dhe konfuzion.

Perëndimi i diellit përshkruhet shpesh në mesin e pacientëve me sëmundjen e Alzheimerit dhe demencias por jo të gjithë njerëzit me këto çrregullime e përjetojnë atë. Raportet për prevalencën e tij ndryshojnë, por Trey Todd, neuroshkencëtar thotë se rreth 20 për qind e pacientëve me demencë do të përjetojnë perëndimin e diellit në një periudhë të jetës së tyre, përjetim që zgjat rreth 4 orë dhe nis në momentin që dielli fillon të perëndojë.

Kur ndodh, perëndimi i diellit mund të shkatërrojë si jetën e njerëzve me demencë ashtu edhe të kujdestarëve të tyre. Mund të prishë gjumin për një familje të tërë dhe madje t’i vendosë pacientët në rrezik për të dëmtuar veten ose të tjerët. Ekspertët thonë se perëndimi i diellit është shpesh ajo që i shtyn familjet të kërkojnë kujdes profesional me kohë të plotë për të dashurit e tyre.

Shkencëtarët kanë ende një rrugë të gjatë për të bërë për të kuptuar perëndimin e diellit por ndërkohë, ata kanë identifikuar trajtime që mund të ofrojnë lehtësim.

Çfarë është “perëndimi i diellit”?

Edhe pse është përshkruar nga mjekët për më shumë se 80 vjet, fillimisht i quajtur “delirium pleqërie” në 1941, shkencëtarët ende nuk kanë vendosur për një përkufizim për “perëndimin e diellit”. Milap Nowrangi, neuropsikiatër në Johns Hopkins Medicine, thotë se është “më shumë një fenomen sesa një simptomë apo sindromë”.

Karakteristikat dhe shpeshtësia e perëndimit të diellit ndryshojnë shumë, por pacientët e Nowrangi dhe familjet e tyre përshkruajnë disa ndryshime tipike. Pikërisht rreth perëndimit të diellit, të dashurit e tyre priren të bëhen konfuzë, të shqetësuar dhe të acaruar. Ata mund të fillojnë të ecin, të tërheqin rrobat, të kërkojnë të shkojnë në shtëpi edhe pse janë në shtëpi, apo edhe të kenë halucinacione. Shqetësimi i tyre mund të zgjasë për disa orë derisa të flenë.

Todd thotë se perëndimi i diellit duket se ka një bazë emocionale, “pothuajse si ndryshimet e humorit në një pjesë të caktuar të ditës”.

Megjithëse perëndimi i rëndë i diellit shoqërohet me sëmundjen e Alzheimerit dhe forma të tjera të demencës, të moshuarit pa demencë raportojnë herë pas here simptoma të lehta të ngjashme me “perëndimin e diellit”. Nowrangi thotë se kjo mund të shpjegohet me ndryshimet natyrore në një tru të plakur, dhe ai shton se shkencëtarët po eksplorojnë nëse mund të jetë një shënues për zhvillimin e ardhshëm të demencës.

Çfarë e shkakton “perëndimin e diellit”?

Sëmundja e Alzheimerit dhe demencia shkaktojnë që strukturat në të gjithë trurin të degradohen ngadalë dhe kjo është pjesërisht arsyeja pse është kaq e vështirë të përcaktohet saktësisht se çfarë e shkakton “perëndimin e diellit”. Sëmundja është gjithashtu pothuajse e pamundur për t’u studiuar pasi njerëzit që po e përjetojnë atë janë përgjithësisht shumë të shqetësuar për t’u ulur nëpër teste diagnostikuese si MRI. Por koha kureshtare e perëndimit të diellit ka bërë që shumë shkencëtarë të dyshojnë se ka të bëjë me një mosfunksionim në ritmin cirkadian të një personi.

Ritmi cirkadian është cikli 24-orësh që rregullon të gjitha proceset natyrore të trupit, urinë, etjen, dëshirën seksuale, temperaturën e trupit, presionin e gjakut dhe gjumin. E gjitha është e “orkestruar” nga një stimulues në tru, e quajtur SCN.

“Ka disa prova që ky ritëm shpërndahet te njerëzit që përjetojnë ‘perëndim të diellit’”, thotë Donald Bliëise, profesor i neurologjisë. Por ai argumenton se vetëm një mosfunksionim cirkadian nuk do të shpjegonte pse këto sjellje negative janë kaq të theksuara në perëndim të diellit.

Todd thotë se gjithsesi nuk ka një arsye të mirëfilltë pse ndodh kjo dukuri.

Si trajtohet “perëndimi i diellit”?

Meqenëse nuk dihet se çfarë e shkakton perëndimin e diellit, nuk ka qenë e mundur të zhvillohet ndonjë trajtim por ekspertët thonë se ka disa prova që mund të lehtësoni simptomat me terapitë në shtëpi.

Një metodë e tillë është nëpërmjet terapisë me dritë. Ekspozimi ndaj dritës gjatë ditës stimulon SCN dhe ndihmon në mbajtjen e ritmit cirkadian në rrugën e duhur, gjë që disa studime kanë treguar se mund të ndihmojë pacientët me demencë.

“Kujdestarët gjithashtu mund të sigurohen që asgjë e jashtme të mos kontribuojë në perëndim të diellit”, thotë Beth Kallmyer nga Shoqata e Alzheimer në Amerikë. Për shembull, aromaterapia dhe muzika e lehtë mund të përdoren për të bllokuar aromat ose zhurmat e padëshiruara. Është gjithashtu e rëndësishme të siguroheni që personi të mos jetë i uritur, i etur ose i ftohtë dhe të shmangni alkoolin dhe kafeinën, të cilat mund ta përkeqësojnë gjendjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë