Njerez

Shefja e FMN-së: Kam punuar sa dyfishi i burrave që të më trajtonin njësoj

Drejtuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, FMN, Kristalina Georgieva, në një intervistë për CNBC tha se asaj i është dashur gjithmonë të punojë sa dyfishi i burrave, për t’u trajtuar njësoj me të.

“Unë nuk dua që vajza ime dhe mbesa ime të bëjnë të njëjtën gjë. Dua që ato të trajtohen njësoj sepse ato janë njësoj. Kjo është ajo që unë dua të jetë historia e jetës sime.”

Georgieva u emërua drejtoreshë e FMN-së në vitin 2019 dhe është gruaja e dytë që mban këtë rol. Ndërsa “batica është kthyer” në rolet e grave, ka pasur një “hap pas” në barazinë gjinore në vitet e fundit, tha shefja e FMN-së.

“Pandemia, pastaj lufta, pastaj kriza e kostos së jetesës, i lënduan të gjithë, por më së shumti kanë lënduar gratë”, – tha Georgieva.

Çështjet që pengojnë gratë janë “makro-kritike”, shtoi Georgieva. Për shembull, PBB-ja globale do të ishte pothuajse 20% më e lartë nëse do të mbylleshin hendekët gjinorë të punësimit, sipas të dhënave të Bankës Botërore.

Vendet në rajonet e Lindjes së Mesme, Afrikës së Veriut dhe Azisë Jugore mund të shihnin rritje të PBB-së së tyre deri në 80% nëse gratë do të ishin në gjendje të merrnin pjesë plotësisht në tregun e punës, sipas hulumtimit.

“Ky është mesazhi me zë të lartë dhe i qartë që po dërgojmë nga FMN – nxirrni gratë përpara për hir të tyre, por për hir të të gjithëve”, tha Georgieva.

“Tani kemi vlerësuar se do të duheshin 130 vjet me shpejtësinë aktuale për të sjellë barazi gjinore. Nuk mendoj se mund ta përballojmë atë kohë. Ne kemi nevojë për një ekonomi të gjallë, një shoqëri të gjallë. Prandaj ne kemi nevojë që gratë të jenë të barabarta me burrat, kudo”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë