Njerez

Në ekonomi, zëri i grave akoma nuk dëgjohet

Kur ministrja spanjolle e Ekonomisë, Nadia Calvino zbuloi se ishte gruaja e vetme e rreshtuar për të bërë një foto në forumin e Liderëve të Lartë në Madrid, ajo u largua.

“Ne nuk mund ta konsiderojmë më normale që 50% e popullit tonë nuk përfaqësohet”, -tha Calvino, e cila më herët ishte betuar se nuk do të merrte pjesë në ngjarje ku vetëm ajo ishte grua, si formë proteste për mungesën e përfshirjes së grave në ekonomi dhe biznes.

Gjithsesi ka shumë për të festuar në Ditën Ndërkombëtare të Gruas në fushën e ekonomisë.

Gratë drejtojnë Fondin Monetar Ndërkombëtar, Organizatën Botërore të Tregtisë, Thesarin e SHBA-së dhe Bankën Qendrore Europiane. Megjithatë, më gjerësisht, gratë mbeten pakicë në një fushë që ende përceptohet si e dominuar nga burrat me kostume dhe që nxjerr politika e shkëputur nga bota reale.

“Mungesa e fortë e grave në ekonomi është sistemike dhe strukturore”, thotë Ngozi Okonjo-Iweala, gruaja e parë që ka drejtuar Organizatën Botërore të Tregtisë. "Nuk është vetëm çështje e të drejtës, por një çështje e prosperitetit afatgjatë në botë.”

Iniciative e “Gratë në Ekonomi” synon të barazojë gjinitë në këtë fushë. Sipas indeksit të tyre në vitin 2022, gratë përfaqësonin vetëm 10- 24% të pozicioneve drejtuese në ekonomi, në të gjithë globin, përfshirë sektorët publikë, privatë dhe akademikë.

“Nuk ka gra në libra dhe emrat e mëdhenj të ekonomisë janë gjithmonë burra”, - thotë Sandra Kretschmer, studiuese e ekonomiksit dhe pjesë e fushatës “Gratë në Ekonomi”.

Friederike Welter, kreu i Institutit për bizneset e vogla dhe të mesme në Gjermani, thotë se mungesa e grave në rolet ekonomike ka dekurajuar dhe gratë e tjera të futen në atë fushë.

“Kur u bëra kreu i këtij Instituti, automatikisht aplikimet nga gratë u rritën”, thotë Welter, që tani është ndër gratë kryesore në ekonominë gjermane.

Janet Yellen, gruaja e parë në krye të Thesarit dhe kryesuese e Rezervës Federale të SHBA-së, i referohet shpesh kësaj çështje. Në një ngjarje të shtypjes së kartëmonedhave dhjetorin e kaluar, ajo tha se duhej më shumë përparim.

Gjithçka fillon herët. Në universitete si në SHBA ashtu edhe në Gjermani, gratë përfaqësojnë rreth 1/3e atyre që studiojnë ekonomi.

Arsyet janë komplekse. Ekonomia përfshin shumë matematikë dhe të menduar analitik dhe ekziston një klishe se burrat janë më të mirë në ato, gjë që mund t'i bëjë gratë të hezitojnë të zgjedhin këtë disiplinë, tha Katharina Wrohlich, drejtuese e grupit kërkimor të Ekonomisë Gjinore në Institutin Gjerman DIË.

Guido Friebel, nga Universiteti Goethe Frankfurt, tha se një faktor tjetër mund të jetë kultura. "Ka një kulturë jashtëzakonisht konkurruese në ekonomi, është agresive," tha ai.

Gratë dhe burrat priren të kenë interesa të ndryshme kërkimore, tha Alisa Weinberger, studiuese e ekonomisë në Goethe. Gratë po bëjnë më shumë kërkime në shëndetësi, punë dhe arsim, ndërsa burrat fokusohen në teorinë ekonomike, makroekonominë dhe financat.

"Ne kemi nevojë për më shumë gra që zgjedhin ekonominë si një diplomë, por ne gjithashtu duhet t'i mbajmë këto gra të reja në fushë," tha profesori i Goethe Nicola Fuchs-Schuendeln. "Diversiteti më i madh do të diversifikonte pyetjet që ne bëjmë si shkencëtarë socialë."

Në rangjet më të larta të sferës publike, vetëm një në 10 guvernatorët e bankave qendrore është grua dhe vetëm 15% e ministrave të financave, tregon indeksi i Iniciativës Gratë në Ekonomi..

Gratë kanë mbajtur vetëm 12% të pozicioneve kryesore në 33 nga institucionet më të mëdha që nga viti 1945, dhe më shumë se një e treta e këtyre organeve, duke përfshirë të katër bankat e mëdha të zhvillimit, nuk janë drejtuar kurrë nga një grua, tregoi një studim këtë javë.

Banka Botërore po merr një qasje proaktive për të krijuar një mjedis më pozitiv dhe për të hequr pengesat për ekonomistet femra, tha Kathleen Beegle, ekonomistja kryesore në Ekipin e Zhvillimit Njerëzor të Grupit të Kërkimit të Zhvillimit të bankës.

"Studimet tregojnë se gratë ekonomiste përballen me një sërë pengesash në profesion, të tilla si mungesa e modeleve dhe një kulturë armiqësore e punës," tha ajo. Grupi Kërkimor i Bankës Botërore organizon mundësi mentorimi dhe ofron opsione pune në shtëpi për të përmbushur përgjegjësitë e kujdesit familjar, tha Beegle.

Christine Lagarde, presidentja e Bankës Qendrore Europiane, tha në një ngjarje të martën se duhet bërë më shumë.

“Ka mundësi të pabesueshme që humbasim nëse gratë lihen në anë të rrugës”, tha ajo.

Burimi: Reuters/Përshtati: Gazeta ‘SI’


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë