Shendet

Largimi i bluzave të bardha, Rama: S’financojmë studimet për sistemin shëndetësor gjerman, rritje page për mjekët specialistë në prill

Nga Gazeta Si- Mes gjithë largimeve të mjekëve dhe infermierëve nga Shqipëria, në Kongresin e Parë të Shëndetësisë janë prezantuar edhe mjekë dhe infermierë që kanë zgjedhur për të qëndruar në Shqipëri për të ushtruar profesionin e tyre.

Mjeku kirurg, Dr. Bledi Masati, në fjalën e tij theksoi se misioni dhe përkushtimi i tij profesional është i fokusuar këtu në Shqipëri në shërbim të të gjithë qytetarëve.

“Sfida sociale që ka të bëjë me lëvizjen migratore, megjithatë kur je në profesionin e mjekut nuk është vetëm në zgjedhje personale, por shkon edhe më tej sepse ka një ndikim zinxhir në shoqëri. Unë kam migruar nga qyteti im i vendlindjes, në një tjetër, e së fundmi në Tiranë për të kontribuar në këtë fushë”, tha Masati.

Mjeku kirurg, Dr. Bledi Masati. Gazeta Si, mars 2023.

Ai shton se pas orëve të gjata, të lodhshme, rikujton ndonjë shënim, mesazh apo fjalë zemre nga pacientët dhe kështu merr një tjetër fuqi për të vazhduar me misionin e tij. 

“Misioni dhe përkushtimi im është i fokusuar këtu, ne vendin tim”, theksoi Dr. Masati.

Rubin Mullaj, student i vitit të gjashtë në Universitetin e Mjekësisë tha se profesioni i tij do ta lejojë të jetë pranë qytetarëve në moment të bukura, por edhe mjaft të vështira.

“Të studiosh mjekësi do të thotë ti shtrëngosh dorën pacientit dhe familjarëve të tij, të japësh shpresën për jetën dhe të lesh shenjë në jetën e tyre. Tani që jam në përfundim të studimeve e kam kuptuar që kam bërë zgjedhjen e duhur! Gjithçka sa thashë kam dëshirë t’i praktikoj në shërbim të qytetarëve tanë”, tha Mullaj.

Ndërsa Alessia Mehmeti, specializante pranë Shërbimit të Kardiokirurgjisë në Spitalin ‘Nënë Tereza’, u shpreh se në Shqipëri mund të bëhesh mjek cilësor dhe profesionist i zoti nëse ke dëshirën dhe vullnetin e mirë për të punuar për këtë synim.

“Në fund të ditës, e them me bindje se çdo përpjekje e bërë për të përparuar Shëndetësinë e vendit tënd shpaguhet 10 herë më shumë shpirtërisht e moralisht dhe ky për mendimin tim, duhet të jetë motivimi kryesor i çdo mjeku që zgjedh të bëhet pjesë e sistemit shëndetësor”, tha Mehmeti.

I pranishëm në Kongresin e Shëndetësisë ishte edhe Kryeministri Edi Rama i cili u ndal te fenomeni i ikjes së mjekëve dhe infermierëve jashtë vendit, kryesisht në Gjermani, ndërsa theksoi se tashmë ka ardhur koha që të adresohen problematikat, pasi shteti nuk mbulon dot financimet për sistemin shëndetësor gjerman.

Ai tha se shteti shqiptar dhe taksapaguesit shqiptar financojnë për studentët e mjekësisë, por në fund pasi ata diplomohen ikin në Gjermani.

“Sot jemi para një problemi që duhet ta adresojmë në mënyrë të ndershme. Arsyeja se pse shtetet investojnë për të bërë sa më të lehtë procesin e studimeve, është për të garantuar shëndetin e popullit të tyre. Në kushtet e sotme rezulton e pamundur që shteti shqiptar, taksapaguesi, mundësitë e të cilit nuk janë të pakufizuar, dhe shërbimet nuk vihen në diskutim, të paguajnë 15 nga 16 pjesë të financimit të studimit të një mjeku. Pra, sot studenti i mjekësisë paguan 1/16 e kostos reale”, tha Rama duke shtuar se këtë shteti e bën duke marrë në konsideratë një sërë faktorësh.

Shteti nuk e bën dhe taksapaguesit shqiptarë nuk paguajnë për këtë, që ditën kur mbarojnë studimet dhe marrin diplomën e mjekut, ata që financohen nga ky buxhet dhe kjo sakrificë, të ikin të shërbejnë në Gjermani.

“Shteti shqiptar nuk financon studimet për sistemin shëndetësor gjerman. Ky është problem që shumë vende e kanë adresuar dhe ka ardhur koha që dhe ne ta adresojmë. Nuk mjafton që të kryesh një shkollë dhe të kesh përmbushur detyrimet e tua në aspektin teorik, por duhet dhe aspekti praktik”, tha Rama.

Ai gjithashtu dha lajmin se në muajin prill, të gjithë mjekët specialistë do të marrin 50 mijë lekë më shumë në pagën e tyre.

“Në këtë prill, mjekët specialistë do marrin 50 mijë lekë të reja plus në pagën e tyre. Do të mbajmë zotimin për 7% për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët. Po përgatisim rritje proporcionale me këtë të mjekëve specialistë dhe në hyrje të 2024 edhe për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët një rritje të ngjashme”.

Ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Gazeta Si, mars 2023.

Për largimin e mjekëve dhe infermierëve foli edhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e cila tha se përballë sfidës së largimit të bluzave të bardha, “ne kemi mundur të ruajmë ekuilibrin, falë specializimeve të hapura çdo vit. Përmes tyre kemi mundur të integrojmë më shumë se 400 specialistë në spitalet rajonale. Falë punësimit në mënyrë transparente dhe mbi baza meritokracie, mbi 5500 profesionistë të mjekësisë ushtrojnë profesionin e tyre në çdo cep të vendit”, tha Manastirliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë