Gazeta Si - Skenari i vrasjeve të Dan Hutrës, ishte planifikuar të mbyllej me vrasjen e një personi të katërt në zonën pranë Kombinatit në Tiranë.
Këtë gjë, ai ia tha policisë sapo e prangosën në kodrat e Sharrës, ku kishte jetuar vite më parë sapo ishte zhvendosur nga Kukësi në kryeqytet. “Më lini të vras edhe një dhe do ta mbyll...!”.
Skenarin për masakrën që kishte planifikuar që në ambientet e burgut për ta vënë në zbatim sapo të dilte nga qelia, Dan Hutra nuk e kishte bërë vetëm për gratë që ekzekutoi dhe plagosi të mërkurën.
Ai kishte thuajse dy javë që kishte lënë qelinë për dhunë në familje me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” pas tërheqjes së kallëzimit nga Elena Hysa, partnerja e tij, e cila mbeti e plagosur me thikë.
Pasi i janë hedhur prangat, mësohet se ai ka komunikuar me agjentët, të cilëve u ka thënë se “me ju nuk kam punë, jeni të shtetit”.
"Që kur rashë në burg, kisha vetëm një qëllim, të vrisja kush më ka rënë në qafë. Sapo kam dalë nga burgu kam nisur të planifikoj vrasjet. Shkoja dhe vija çdo ditë nga Kukësi dhe vëzhgoja personat. Sigurova armën dhe makinën me qira derisa u poqën kushtet që t’i vrisja. Nuk pendohem, sepse vdekjen e kanë merituar, jo vetëm ato, por edhe të tjerë që s’munda dot t’i gjeja. Unë nuk kisha asnjë qëllim në jetë vetëm t’u merrja jetën atyre që më kanë hyrë në hak", - ka deklaruar auori i masakrës së trefishtë në polici.
40-vjeçari bënte fajtor për vdekjen e të atit një burrë që jetonte në Vaqarr, të cilin shkoi ta vriste pas masakrës së trefishtë në Paskuqan dhe Kamzë, por deri në prangosje nuk kishte arritur ta gjente.
Sipas burimeve nga policia, Hutra ishte i mirëarmatosur me municione, ndërsa ishte çështje kohe për të realizuar vrasjen e katërt.
Pak para se të ngjitej në kodrën e Sharrës për të gjetur banesën e shënjestrës së tij, ai ishte funizuar me ushqime dhe ujë.
Por dy banorë të zonës, të cilët e kanë njohur dhe duke e ditur se ishte i rrezikshëm, kanë njoftuar policinë.
I dërguar në Drejtorinë e Policisë në Tiranë, Hutra nuk ka shfaqur asnjë pendesë për krimin e rëndë të vrasjes së 3 grave dhe plagosjes së 3 të tjerave.
Policia shpjegoi dinamikën e ngjarjeve të rënda të së mërkurës, ku Hutra ka shkuar fillimisht në Astir dhe ka plagosur me thikë shtetasen M. G., 40 vjece.
Më pas, shkoi me një makinë që e kishte marrë me qira, në Kodër-Kamzë, te banesa e ish-bashkëjetueses së tij.
Ai plagosi me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).
Pas kësaj ngjarjeje, autori ka lëvizur në drejtim të rrugës “Abdyl Elmazi”, në rrugën e Arbrit, ka vijuar në rrugën “Besëlidhja”, Bathore dhe rreth orës 12:48 minuta ka ndaluar te banesa e familjes Kurti, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe.
40-vjeçari u arrestua pasditen e së mërkurës në landfillin e Sharrës pas rreth 6 orësh në arrati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.