Dosje

Dinamika / Nga Astiri në Paskuqan dhe më pas në Kamzë, 3 krimet në 33 minuta të Dan Hutrës në Tiranë

Gazeta Si - Me shpejtësinë dhe nuhatjen e një vrasësi gjakftohtë, Dan Hutra i ka kryer tre krimet e dyshuara në rreth 33 minuta në largësi nga njëra tjetra.

I arrestuar pas 7 orësh në arrati në zonën e Sharrës në Kombinat, policia ka rindërtuar dinamikën e ngjarjes, ku gjithçka është mbyllur për rreth gjysmë ore.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj ka sqaruar për mediat dinamikën e masakrës ndodhur të mërkurën në Tiranë, ku në 3 ngjarje të ndryshme u vranë 3 gra dhe u plagosën 3 gra të tjera.

Plagosja në Astir

Në orën 12:15, Dan Hutra plagosi 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi në rrugën “Teodor Keko” në mbikalimin e Pallatit me Shigjeta.

Në dëshminë e saj, Gurakuqi ka deklaruar se e njihte Dan Hutrën pasi i shkonte dhe i kërkonte shpesh para. Kësaj here ajo kishte refuzuar që t’i jepte para, e për pasojë ai e kishte plagosur me thikë.

Ajo që e bën më të rëndë është se Gurakuqi nuk e ka denoncuar këtë ngjarje menjëherë që polici. Kur kishte shkuar në spital, ajo kishte deklaruar se ishte rrëzuar dhe ishte vrarë. Denoncimin e ka bërë pasi kishin ndodhur 2 vrasjet e tjera në Paskuqan dhe Kamzë, që kishin të njëjtën autor, Dan Hutra.

Ndoshta denoncimi i saj mund të kishte shërbyer për të parandaluar 2 vrasjet e tjera, por për fat të keq nuk ndodhi kështu.

Vrasja e dyfishtë

Pas kësaj autori u largua me makinë dhe rreth orës 12:35 ka shkuar në Kodër Kamzë në banesën e ish-bashkëjetueses, ku ka vrarë me automatik Mevlute Hysa 30 vjeçe (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses), si dhe ka plagosur Elena Hysa, 35 vjeçe ish-bashkëjetuesja e autorit të dyshuar dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe, nëna e saj.

Ndaj këtyre të fundit, Dan Hutra nuk përdori plumbat e kallashnikovit, por i goditi me thikë. 

Vrasja në Kamzë

Pas kësaj, Dan Hutra ka lëcizur në rrugën e Arbrit, Bathore, ka vijuar në rrugën “Besëlidhja” dhe rreth orës 12:48 ka ndaluar tek banesa e familjes Kurti, në Kamëz, ku ka vrarë Etleva Kurti 31 vjeç, e cila u gjet e vdekur në oborrin e banesës.

Nëna e 31-vjeçares Etleva Kurtit, ka rrëfyer për oficerët e policisë se në momentin kur ndodhi krimi ,ka qenë nga pas banesës duke punuar. Ajo është shprehur se ka dëgjuar krisma të forta dhe kur ka dalë ka parë vajzën në tokë.

Faji i vetëm i Etlevës ishte se ishte motra e Vladimir Kurtit, ky i fundit vuan dënimin me burgim të përjetshëm në Drenovë për vrasjen në 2018-ën të Agim Buçit dhe plagosjen e gruas së tij, gjatë një tentative grabitje në dyqanin e tyre në Tiranë, skenë e ndodhur e gjitha në prani të djalit të tyre 6-vjeçar në atë kohë.

Vladimir Kurti, në një telefonatë nga qelia, ka treguar sot se ka pasur një debat të ashpër me Dan Hutrën teksa vuanin të dy dënimin në të njëjtin burg, madje e kishte kërcënuar herë pas here se do i vriste motrën.

Ndërkohë, Tonin Vocaj tha se në momentin e arrestimit, Hutra nuk ka bërë rezistencë. Ai theksoi se në veprimtarinë kriminale të autorit, nuk është evidentuar në asnjë rast që të ketë paraqitur çrregullimeve psiqike. “Nuk ka pasur informacione nga familjarë për rrezik jete nga ana e tyre. Vrasja në Kamzë ka ndodhur për shkak të motiveve të tjera”, ka thënë Tonin Vocaj.

Sakaq, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka përgëzuar policinë e shtetit për arrestimin e Dan Hutrës, autorit të vrasjes së trefishtë në kryeqytet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë