Një vizitë nga kancelari gjerman në Shtëpinë e Bardhë, do të kishte qenë vite më parë, kulmi i marrëdhënieve diplomatike euro-amerikane.
Por kur Olaf Scholz të arrijë në Uashington më 3 mars, nuk do të jetë as takimi më i rëndësishëm i asaj jave për presidentin amerikan.
Gjatë një udhëtimi në Poloni javën e shkuar, Biden takoi liderët e Europës Lindore, duke i lavdëruar ata për ndihmën e tyre në luftën në Ukrainë, nga e cila sapo ishte kthyer. Ndjenja se lufta kishte ndryshuar hartën se kush ka rëndësi në Europë, ishte e prekshme.
Vendet në periferinë lindore të Europës ndjejnë se koha e tyre ka ardhur. Sipas tyre, një lëvizje tektonike drejt Lindjes, po ndodh. Fuqia po ikën nga “Europa e vjetër” dhe nga vendet që fuqizuan Rusinë, e tani janë në vijë të parë të luftës me të.
Lufta është një mundësi për ide të reja dhe lidership të ri. “Ky është një moment ekzistencial për të gjithë Europën”, thotë Pawel Jablonski, zv.ministri i Jashtëm i Polonisë. Me Ukrainën tani kandidate për t’u bërë pjesë e klubit një ditë, ëndrra që një aks i ri midis Varshavës dhe Kievit mund të sigurojë një kundërpeshë ndaj atij midis Parisit dhe Berlinit.
Jo kaq shpejt. Që humori i Europës është zhvendosur, nuk ka dyshim. Nëse kjo do të përkthehet në një ndikim të qëndrueshëm për vende të tilla si Polonia, më i madhi i “Nëntëve të Bukureshtit” (Polonia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Hungaria, të cilat u bashkuan të gjitha në BE në 2004, së bashku me tre shtetet baltike, Rumaninë dhe Bullgarinë, e cila pasoi në 2007), është shumë pak e sigurtë. Rajoni ka humbur mundësitë për një rol më të madh si fuqi në BE.
Edhe europianët e Perëndimit e pranojnë se ky është momenti i Europës Qendrore. Paralajmërimet nga ish-satelitët sovjetikë për rrezikun e mbështetjes tek Rusia për gazin, më parë trajtoheshin në Gjermani si ogurzeza; tani ata pranohen se kanë qenë parashikime. Ekziston një admirim i gjerë për mënyrën se si vendet e Europës Qendrore kanë pranuar miliona ukrainas që ikin nga lufta. Armaturat e rajonit janë zbrazur për të ndihmuar Ukrainën – grupi i parë i tankeve Leopard nga Polonia sapo është dorëzuar – dhe janë porositur shumë pajisje të reja ushtarake.

Çfarë i ka dhënë kjo Europës qendrore është vetëm një masë e udhëheqjes morale dhe një zë më të lartë në tavolinën e BE-së.
“Ne i kemi dëgjuar gjithmonë”, – thotë një diplomat i Europës Perëndimore. “Tani ndoshta do i dëgjojmë pak më shumë.”Por mesazhi nga lindja nuk po vjen.
Jeta vazhdon
Një arsye është diferenca në siguri. Për Poloninë dhe vende të tjera në front të parë, mendojnë se sulmi rus nuk do të zbehet dhe për disa kohë. Udhëheqësit në rajon, kanë thënë gjithmonë se ambiciet imperialiste të Putin do t’u ktheheshin atyre një ditë.
“Për sa kohë që Putini është në pushtet, edhe nëse ka një armëpushim në Ukrainë, ne supozojmë se do të jetë një pauzë në luftime, jo një zgjidhje,” thotë Justyna Gotkowska e OSW, një institut në Varshavë.
Europa Perëndimore, në tërësi, ndihet ndryshe.
Ukraina ka një rëndësi të madhe edhe atje: miliarda po shpenzohen për të ndihmuar vendin, forcat e armatosura po përmirësohen dhe lufta ka tronditur ekonominë e kontinentit. Finlanda është ndër ato që ndajnë shqetësimet e sigurisë së polakëve dhe lituanezëve; prandaj bashkimi i saj i afërt me NATO-n. Por e parë nga Brukseli, Dublini apo Parisi, jeta vazhdon pavarësisht luftës. Sistemet e energjisë janë riparuar. BE-ja është përballur me shumë sfida në dekadën e fundit, qoftë rreth zonës së euros, migrimit apo Brexit. Ajo do të përballet me më shumë në vitet e ardhshme, pa dyshim. Ukraina është vetëm një prej tyre. Ndonëse nuk është si zakonisht, nuk ka asnjë arsye për të përmbysur regjimin e vjetër të BE-së – atë në të cilin Europa Qendrore ka shumë më pak rëndësi.
Kur liderët e BE-së takohen në Bruksel, fokusi nuk është më Ukraina. Po aq e rëndësishme është edhe mënyra se si Europa reagon ndaj emigrimit masiv ilegal, apo misionit të saj për të luftuar ndryshimet klimatike. Kjo është e habitshme për qytetarët e Europës lindore, të cilët mund të ndjejnë edhe frymëmarrjen e Putin në qafët e tyre. Për ta, të diskutosh për çdo gjë tjetër përveç Ukrainës është nënvlerësim – përsëri – kërcënimi i paraqitur nga Rusia. Mateusz Moraëiecki, kryeministri i Polonisë, ka folur për punën që duhet të bëjë BE për të “zgjuar” pjesën tjetër të Europës.
Qasja e “jeta vazhdon” është lajm i keq për vendin e tij. Polonia mund të shpresojë se protagonizmi i saj, do të ndihmonte në zbutjen e një grindjeje të gjatë me BE-në. Komisioni Europian, krahu ekzekutiv i bllokut, e ka akuzuar atë për shkelje të parimeve bazë të shtetit të së drejtës. Sipas pikëpamjes së saj, qeveria po i mbush gjykatat me gjyqtarë të politizuar dhe po kërkon të minojë përparësinë e ligjit të BE-së. Kjo ka rezultuar në kosto të larta për Poloninë: ajo ende nuk ka marrë 35 miliardë euro në grante dhe kredi të lidhura me një fond të rimëkëmbjes së pandemisë.

Pushtet dhe sharm
Duart e kalitura të Brukselit tregojnë për arsye të tjera për mungesën e fuqisë në rajon. Ndikimi në BE rrjedh nga madhësia e popullsisë dhe pesha ekonomike. Nëse kjo dështon, puna e mirë diplomatike mund të ndihmojë. Në asnjë nga këto zona nuk bie në sy Europa Qendrore.
Nisim me madhësinë. Bashkë, Nënta e Bukureshtit ka një popullsi prej 95 mln banorësh, 1/5 e totalit të BE. PBB-ja e tyre e kombinuar është sa 1/10 e BE-së. Vetëm Polonia shikohet si vend i madh. Ata nuk janë as të unifikuar.
Hungaria drejtohet nga një lider autokrat, Viktor Orban që ka mbajtur anën e Rusisë.
Në disa fusha, Rumania bashkohet me Estoninë, ose Sllovakinë e Bullgarinë. Zgjerimi i BE-së në Ukrainë ose në Ballkanin Perëndimor do të rriste shifrën dhe rëndësinë e rajonit. Por kjo nuk është aspak e afërt, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të Europës Qendrore.
Pesha ekonomike e grupit ka ardhur në rritje, me standardet e jetesës duke mbyllur gradualisht hendekun me Europën Perëndimore. Nevoja që Europa të riatdhesojë disa zinxhirë furnizimi nga Kina mund t’i japë asaj peshë të mëtejshme. Por mungesa e integrimit financiar – Polonia nuk është në euro – e kufizon disi ndikimin e saj edhe atje. Dhe të nëntë vendet e Bukureshtit marrin më shumë nga buxheti i BE-së sesa paguajnë. Në praktikë, kjo ul ndikimin e tyre.

Polonia dhe disa nga aleatët e saj kanë dështuar dhe në rritjen e peshës së tyre diplomatike. Vende më të vogla si Danimarka dhe Irlanda, apo edhe të mëdha si Holanda, mund të kompensojë madhësinë e tyre duke krijuar me kujdes aleanca dhe duke gjeneruar ide të reja për BE-në. Polonia, veçanërisht, nuk është e interesuar për këtë. “Për asnjë temë tjetër përveç Ukrainës, ata as nuk pretendojnë se interesohen,” thotë një diplomat i BE-së.
Koalicioni konservativ në Varshavë, në fuqi që nga 2015-a, shpesh nuk është në të njëjtin hap me konsensusin më liberal që mbretëron në Europë, për shembull për abortin ose të drejtat e homoseksualëve. Kjo, dhe saga e sundimit të ligjit, kufizon oreksin e shumë anëtarëve të BE-së për tu bërë aleatë të qëndrueshme me Poloninë. Një përpjekje për ta përfshirë atë rregullisht në diskutimet franko-gjermane, si një pikë në të ashtuquajturin Trekëndëshi i Vajmarit, ka dështuar.
Dhe sulmet virulente ndaj gjermanëve nga koalicioni qeverisës janë një tipar i përsëritur i diskursit politik polak, i cili do të rritet vetëm përpara zgjedhjeve në tetor. Ai përfshin një kërkesë për 1.3 trilionë euro (1.4 trilion dollarë) dëmshpërblime të kohës së luftës – një shumë kaq absurde sa Gjermania ka qenë në gjendje ta shmangë atë. Franca, nga ana e saj, është e frustruar që klubi i Bukureshtit tregon pak interes për të forcuar “autonominë strategjike” të BEe-së, për shembull duke rritur prodhimin vendas të armëve. Polonia dhe vendet baltike e shohin NATO-n, dhe kështu Amerikën, si garantuese të kufijve të tyre; Kjo ndihmon që NATO, një aleancë mbrojtëse, të mos u mbajë leksione atyre për çështje të brendshme si situata e gjykatave. Qëndrimi agresiv ndaj Gjermanisë mund të ndryshojë nëse opozita liberale pro-europiane fiton në tetor.
Vendet në BE fitojnë ndikim përmes aftësisë dhe vullnetit të tyre për të zgjidhur problemet e përbashkëta të kontinentit. Kjo kërkon një kuptim të përbashkët se cilat janë ato probleme. Polonia dhe aleatët e saj do të vazhdojnë të dëgjohen ndërsa fokusi i Europës dhe botës është në atë që po ndodh pranë kufijve të saj. Ajo që ndodh pas kësaj është më pak e qartë.
Burimi: TheEconomist/ Përshtati: Gazeta ‘Si’
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




