Para

Kredia në euro u rrit me rreth 17% vitin e shkuar, niveli më i lartë në 7 vjet

Kredia në euro vijoi rritjen edhe gjatë 2022-shit.

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se gjatë vitit të shkuar sektori bankar dha 1.175 mld euro kredi të reja në valutën europiane, duke shënuar nivelet më të larta në shtatë vitet e fundit.

Rritja krahasuar me një vit më parë është 16.8%.

Sipas kohëzgjatjes së kredisë, peshën më të lartë në portofol e ka kredia afatgjatë me maturim mbi pesë vjet, që përbënte mbi 45% të totalit, ndërsa pjesa e mbetur ndahej mes maturitetit afatshkurtër dhe atij afatmesëm.

Nga ana tjetër, kredia e re në lekë pësoi sërish rënie vitin e kaluar, me 2%, për një vlerë totale disbursimesh prej 133.4 miliardë lekësh.

Sipas BSH-së, depozitat në valutën europiane u rritën me 17% vitin e kaluar, ndërsa depozitat në lekë rezultuan në stanjacion.

Një faktor tjetër që ka favorizuar kreditë në euro janë edhe normat më të ulëta të interesit.

Vitin e kaluar Banka e Shqipërisë dhe Banka Qendrore Europiane nisën rritjen pas më shumë se një dekade të normave të interesit.

Kjo u reflektua në rritje të interesave të kredisë për të dyja monedhat, por për lekun rritja e interesave ishte më e ndjeshme. Norma mesatare e huave të reja të dhëna për sektorin privat gjatë vitit 2022 ishte 4.37%, ndërsa i njëjti tregues për lekun rezultoi 6.59%.

Aktualisht norma e interesit në Shqipëri është 2.75%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë