Para

Depozitimet e parasë në bankomate u rritën me 55% në 2022-shin

Numri i bankomateve për depozitimin e parasë fizike u rrit për të shtatin vit radhazi në 2022.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i pajisjeve ATM që mundësonin depozitimin e parasë cash në fund të vitit të kaluar arriti në 305, rritje me 23.5% krahasuar me një vit më parë.

Pothuajse 36% e numrit të përgjithshëm të ATM-ve në vend ofrojnë shërbimin e depozitimit të parasë cash.

Sipas BSH-së, vitin e kaluar u kryen afërsisht 576 mijë depozitime cash në ATM, në rritje me 55% krahasuar me vitin 2021. Vlera totale e depozitimeve arriti në 29.9 miliardë lekë, me një prej 50% krahasuar me një vit më parë.

Pagesat cash në arkë ngelen një nga arsyet kryesore të fluksit të klientëve në degët e bankave. Kjo problematikë u bë më e prekshme pas pandemisë, për shkak të kufizimit të orareve të punës, operacioneve me staf të reduktuar dhe kufizimit të numrit të personave të lejuar brenda degëve.

Në fund të 2022-shit sektori bankar shqiptar ofronte shërbim nëpërmjet 855 ATM-ve aktive, rritje me 4% krahasuar me një vit më parë.

Vitin e kaluar rreth 64% e veprimeve me karta bankare ishin tërheqje apo depozitime të parasë cash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë