Gazeta Si – Një 36-vjeçar shqiptar, Artur Rrapaj, i arrestuar gjatë operacionit për kapjen në Kolumbi të bosit më të madh ekudorian të një rrjeti trafiku droge, është lënë në burg për veprën penale të pasurisë së pajustifikuar me origjinë nga burime kriminale.
Bëhet fjalë për Wilder Sánchez Farfán, i njohur ndryshe si “Gato Farfán”, i cili do të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
LEXO EDHE:
– Raporti me emra e përgjime sjell skandal politik në Ekuador: Kush është bosi i mafies shqiptare që ka lidhje me rrethin familjar të presidentit Guillermo Lasso
– Si funksionon mafia e shqiptarëve në Amerikën Latine, ku arrijnë tentakulat dhe pse zbarkuan. Ekspertët: Kokainën e blejnë lirë
Qeveria e Ekuadorit dhe policia kanë konfirmuar se trafikanti ekuadorian i drogës do të dalë para drejtësisë federale për t’u përballur me akuzat.
I arrestuar në Pasto, Kolumbi, alias “Gato Farfán” është një nga trafikantët më të fuqishëm të drogës në Amerikën e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara po gjurmonin lidhjet e tij me kartelet meksikane, si Sinaloa dhe Nueva Generación.
Edhe pse trafikanti i drogës nuk do të ekstradohet në atdhe, në Ekuador u hap një proces hetimor kundër shqiptarit Rrapaj që është i lidhur me Sánchez Farfan. Ndalimi i shqiptarit, vë sërish në radar veprimet e grupeve kriminale nga Ballkani në Ekuador.
Rrapaj, do të duhet të përballet me një proces për pasuri të pajustifikuar, sipas sistemit gjyqësor ekuadorian.
Ai u kap në Samborondón gjatë operacioneve që u zhvilluan pas kapjes së “Gato Farfan”-it pas një kontrolli të urdhëruar nga një gjyqtar i Njësisë Gjyqësore të Garancive të Specializuara Penale për ndjekjen penale të krimeve që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Në dosjen hetimore, thuhet se ai ka një kartë identiteti ekuadoriane dhe se gjatë marrjes në pyetje, nuk ka pasur nevojë për përkthyes, pasi kupton spanjisht.
Brenda adresës ku ndodhej shqiptari, u gjet shuma prej 321 mijë dollarësh dhe disa pajisje dhe telefona celularë që ishin fshehur.
Mbrojtja e shqiptarit ka bërë me dije se paratë kanë ardhur nga një kredi që i është kërkuar një kompanie. Ajo kompani ka një kapital prej 10 milionë dollarësh dhe është aktive.
Edhe pse mbrojtja e Rrapajt kërkoi masë më të butë sigurie, gjykatësi nuk e pranoi kërkesën dhe lëshoi urdhrin e paraburgimit.
Në Kolumbi, policia raportoi se në Guayaquil shqiptari do të ishte kontakti i alias Gato Farfán me mafiozët evropianë.
Ndërsa në Kolumbi, bashkëpunonte me Carlos Landázurin (el Gringo), udhëheqës i disidencës Oliver Sinisterra të FARC, i cili dyshohet për krime në Nariño.
Ekudoriani me sa duket po bënte biznes me këtë të fundit këtë javë, kur DEA dhe policia kolumbiane dhe ekuadoriane mbyllën rrethin ndaj tij, sipas gazetës online “El Columbiano”.
Sánchez u dërgua me aeroplan në burgun La Picota në Bogota. Atje ai pret të zgjidhet procesi i ekstradimit, pasi ka një kërkesë nga Gjykata e Distriktit Jugor të Kalifornisë për trafik droge.
Komandanti i policisë, Fausto Salinas, tha këtë të mërkurë në programin “Vis a Vis”, se në një kohë të shkurtër mund të vihet para drejtësisë në Shtetet e Bashkuara, pasi është një çështje e konsoliduar.
Ai tha se “Gato Farfán” ishte i lidhur me disa operacione droge jo vetëm në Ekuador, por jashtë vendit dhe kishte lidhje në Kolumbi dhe Shtetet e Bashkuara. Dërgesat e tij ishin nga ajri dhe deti.
Në kuadër të procesit në të cilin është përfshirë Artur Rrapaj, seanca dëgjimore është dakorduar për datën 2 mars. Palët duhet të bëjnë deklarimin e provave deri në tri ditë para seancës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.