Nga Gazeta ‘SI’ – Rënia e inflacionit dhe kërkesa e lartë për titujt e borxhit të qeverisë po ulin yield-et e letrave me vlerë. Kështu raporton Banka e Shqipërisë duke shtuar se “presionet” rritëse ndaj tyre u zbehën që në fundvit, pas një rritje të menjëhershme më herët, duke reflektuar pasiguritë e agjentëve në kontekstin e rritjes së inflacionit dhe pritjeve për rritjen e normës bazë.
“Që prej fillimit të ciklit shtrëngues të politikës monetare, yield-et janë karakterizuar nga luhatje të theksuara, duke shfaqur shpesh një mbireagim ndaj rritjeve të normës bazë. Ulja e inflacionit në muajin e fundit dhe rikthimi i kërkesës së lartë për instrumentet e borxhit të qeverisë frenuan prirjen rritëse të yield-eve dhe u materializuan me ulje të yield-it të bonos 12-mujore që në janar 2023 rezultoi 5% nga 5.8% në nëntor”, – thuhet në raportin e Politikës Monetare.

E njëjta tendencë është shfaqur dhe tek obligacionet me më shumë investitorë të interesuar në to. Në janar obligacionet 2-vjeçare dolën në ankand me kupon 5.8% nga 6.5% në nëntor 2022.
Banka e cilëson pozitive këtë rënie duke shpjeguar se reflekton optimizëm në situatën ekonomike në të ardhmen, pritshmëritë për inflacionin dhe rrjedhimisht frenimin e rritjes së normës së interesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




