Nga Gazeta Si – Shqipëria ka nisur vaksinimin ndaj Human Papiloma virus, i cili shkakton kancerin qafës së mitrës për grupmoshën e vajzave 9-14 vjeç.
Por përveç lajmit të mirë që vajzat po vaksinohen për të mos rrezikuar jetën nga tumori, edhe djemtë duhet gjithashtu që të mbrohen, si bartës të sëmundjeve seksualisht të transmetueshhme.
Bazuar në rekomandimet e OBSH, shumë vende të Bashkimit Europian kanë rishikuar politikat kombëtare duke e shtrirë vaksinimin ndaj HPV dhe për djemtë.
Organizata Europiane e Kancerit ka nxjerrë një rezolutë për eleminimin e të gjitha kancereve të lidhura me HPV në të dyja gjinitë.
OBSH thotë se Papilloma virus është sëmundja më e shpeshtë seksualisht e transmetueshme dhe shkaku i dytë më i zakonshëm i kancerit që i atribuohet një agjenti infektiv në nivel global.
Sipas ekspertëve të shëndetit publik, jo vetëm vajzat por edhe djemtë janë të rrezikuar nga tumoret që kanë si shkak virusin Papiloma, sic janë lythat anogenitale jo malinje, por të zakonshme që mund të prekin të dy gjinitë, edhe djemtë edhe vajzat.
Strategjia në Shqipëri
Instituti i Shëndetit Publik, ISHP, ka nisur aplikimin e vaksinës HPV për grupmoshën e vajzave 09-13 vjeç në nëntor të vitit 2022.
Ky institucion ka deklaruar zyrtarisht se me gjithë kërkesat për ta ofruar këtë vaksinë dhe për moshat mbi 13-vjecc, kjo gjë do të realizohet në vitet e ardhshme.
Strategjia e ISHP për luftën ndaj kancerit të qafës së mitrës synon uljen e incidencës së tumorit të qafës së mitrës në të ardhmen, duke e fokusuar fushatën e vaksinimit vetëm tek vajzat në një grupmoshë të caktuar.
Por për ta eleminuar si mundësi shfaqje, strategjia do të duhet të parashikonte në kalendarin e vaksinimit edhe djemtë.
OBSH nga ana e saj, rekomandon që të gjitha vaksinimet duhet t’u ofrohen në mënyrë të barabartë të gjithë atyre që mund të përfitojnë nga vaksinat.
Nga numri në rritje i provave, duke përfshirë provat klinike, provat në terren, studimet e grupeve të mëdha dhe studimet ekologjike mbi ndikimin e vaksinimit të HPV, vaksinat HPV kanë provuar të jenë përgjithësisht të sigurta dhe efektive kundër infeksionit të vazhdueshëm HPV, lythave anogenitale dhe lezioneve parakancerogjene.
Sipas axhendës së OBSH për imunizimin deri në vitin 2030, synohet zgjerimi iu vakisnimit për të gjithë, kudo dhe identifikon mbulimin dhe barazinë e vaksinimit si një nga shtatë prioritetet e tij strategjike.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në maj 2018 bëri apel për eleminimin e kancerit të qafës së mitrës, e ndjekur nga Shoqata Amerikane e Kancerit në qershor 2018 .
Që nga dhjetori 2021, të gjitha vendet e BE/EEA kanë futur vaksinimin kundër HPV në programet e tyre kombëtare dhe shumë vende kanë kaluar kohët e fundit, ose po planifikojnë të lëvizin, nga një strategji vaksinimi vetëm për vajzat për HPV në një strategji universale ose gjinore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




