Nga Gazeta Si – Sot mbushen plot 16 vjet nga ndarja nga jeta e një ndër figurave më të spikatura të kinematografisë dhe skenës shqiptare, Kadri Roshi.
Roshi lindi më 4 janar të vitit 1924 në Ballsh të Mallakastrës në një familje me prejardhje nga Libohova dhe ndërroi jetë më 6 shkurt të vitit 2007.
Aktori do të përjetonte një vogëli të trazuar, pasi humbi të ëmën kur ishte vetëm 2 vjeç dhe mbeti jetim dhjetë vjet më vonë, kur vdiq edhe i ati.
Karriera e tij si aktor nisi në moshën 21-vjeçare në skenën e të ashtuquajturit Teatër Popullor.
Në vitin 1951 finalizoi rrugëtimin e tij kushtuar edukimit universitar, të përshkuar në Pragë. Me t’u kthyer në vendlindje, Roshi rimori ekzekutimin e roleve të para në logun e jetës artistike të vendit, Teatrin Kombëtar.
Përllogaritet se aktori ka luajtur rreth 180 role në skenë dhe në kinematografi, duke lënë në kujtesën e teleshikuesve dhe të spektatorëve një portret të pashlyeshëm.
Ai është përjetësuar në sajë të një shumësie rolesh, që variojnë nga skllavi Ezop tek kujdestari i “Lulëkuqe mbi mure”, si edhe nga mbrojtësi i thekshëm i gjuhës shqipe në Rilindje deri tek plaku Mere.
Disa prodhime të tjera filmike ku Roshi ka mishëruar role protagoniste janë: Vdekja e burrit (1991), Apasionata (1983), Partizani i vogël Velo (1980), Ballë për ballë (1979), Gjeneral gramafoni (1978), Njeriu me top (1977), Fije që priten (1976), Përballimi (1976), Malet me blerim mbuluar (1971), I teti në bronz (1970).
Për kontributin e dhënë në artin e fjalës dhe të interpretimit, Roshi u nderua me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik të vitit 1995, me Çmimin e Madh të Nderit në vitin 1997 dhe iu akordua vlerësimi “Nderi i Kombit” në vitin 1999.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



