Njerez

Njësitë e azilit në Britani urdhërohen të trajtojnë vetëm kërkesat e shqiptarëve për t’i larguar sa më shpejt

Njësitë e azilit në Britani janë urdhëruar që të merren vetëm me përpunimin e rasteve të emigrantëve shqiptarë që të përshpejtojnë dëbimet e tyre nga vendi.

Ministria e Brendshme ka urdhëruar njësitë e azilit që të punojnë vetëm me kërkesat e shqiptarëve në një përpjekje për të përshpejtuar dëbimet, duke detyruar emigrantët nga vendet e tjera të presin më gjatë.

“The Independent” shkruan se urdhri, i koduar “Operacioni Bridora” synon të shpallë sa më shumë aplikime nga shqiptarët si të pabaza në mënyrë që ti largojnë nga Britania sa më parë.

“Është diskriminim”, i tha The Independent një burim i tyre.

“Ligji nuk po zbatohet për të gjithë njësoj”.

Nga më shumë se 140,000 aplikime për azil që presin një vendim Britani, rreth 16 për qind (22,900) janë nga shqiptarët.

Më shumë se 16,000 kërkesa të pazgjidhura lidhen me iranianët, 14,5000 me irakianët, 9,000 me afganët dhe rreth 7,000 me sirianë.

Clare Moseley, themeluesja e Organizatës Care4Calais,  tha se ky ‘operacion’ i ri me shumë mundësi do të jetë diskriminues dhe me siguri do të jetë joefektiv në trajtimin e problemeve në sistemin e azilit.

“Do të bëjë pak për të reduktuar numrin e kërkesave të mbetura për azil”.

Një ligj prej dy dekadash e rendit Shqipërinë midis vendeve ku Ministria e Brendshme mund t’i deklarojë kërkesat për azil nga qytetarët  si “qartësisht të pabazuara”, sepse konsiderohen vende të sigurta.

Jonathan Featonby, analisti kryesor i politikave në Këshillin e Refugjatëve, tha se organizata po punonte me refugjatët shqiptarë që ishin viktima të trafikimit dhe shfrytëzimit dhe kanë kërkesa legjitime për azil.

“Është jetike që çdo rasti t’i jepet një vlerësim i drejtë”, shtoi ai.

“Të paragjykosh një pretendim të bazuar në paragjykime për vendin e origjinës së aplikantit është e gabuar. Ne nuk mund të harrojmë faktin se kemi të bëjmë me jetë njerëzish”.

Si Rishi Sunak ashtu edhe Suella Braverman janë fokusuar te shqiptarët, duke i cilësuar si “emigrantë të paligjshëm”.

Të enjten, kryeministri e quajti “qesharak” numrin e shqiptarëve që kalojnë Kanalin Anglez me varka të vogla dhe u zotua se “do të kthejë në fluturime emigrantët e paligjshëm nga Shqipëria dhe kjo do të rritet gjatë vitit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë