Ekonomi

Euro dhe informaliteti po trondisin turizmin në Shqipëri

Luhatja e shpeshtë e kursit të këmbimit, rënia e euros, rënia e ekonomisë, informaliteti shihen nga tur operatorët si problematikat më të thekshme dhe me ndikim për mbarëvajtjen e turizmit përgjatë vitit 2023.

Viti 2022 ka rezultuar si viti më i mirë historik në prurjet turistike të huaja, madje edhe më i mirë se çfarë kanë pritur vetë aktorët e sektorit, por kjo nuk i bën ata të jenë jo realistë për problematikat që lidhen me biznesin.

“Ka ndikuar shumë kursi i këmbimit euro-lekë. Ne marrim në euro dhe konvertojmë në lekë dhe kur ra kursi ne humbëm shumë. Kursi është më i ulët se e kemi dhënë në fillim të çmimit”, shprehet Kliton Gërxhani nga ATOA (Shoqata e Tur Operatorëve Shqiptarë).

Gjatë vitit 2022 një euro është këmbyer mesatarisht me 118.8 lekë.

Kurse gjatë viti 2021 kur individët dhe familjet prenotuan pushimet e tyre për vitin pasardhës siç e kanë në kulturë të huajt, 1 uro këmbehej mesatarisht me 122.6 lekë. Me 3.8 pikë përqindje më pak gjatë 2022.

Kliton Gërxhani vëren gjithashtu një kaos total në sektorin e turizmit.

Kliton Gërxhani shprehet se: Çdo kush po futet në treg transporti turistik.

Ai e argumenton këtë me domosdoshmërinë e bizneseve për të qëndruar në treg pas dy viteve të vështira të pandemisë.

“Ishim në humbëtirë të madhe për dy vjet dhe nga dëshpërimi i madh për t’u futur në treg për të kompensuar humbjen e madhe ato dy vite, ka një informalitet të pamat në treg. Guidat po bëjnë turoperatorin dhe nuk po pyesin as për licensë, as për rregulla, as për gjë. Çdokush po futet në treg transporti turistik. Çdokush po tenton të bëjë gjithçka sepse nuk ka rregull,” shpjegon ai duke shtuar se “Duhet standardizimi me çdo kusht, duhet urgjent.”

Sipas Gërxhanit, kjo është një nga gjërat kryesore që po e dëmton shumë turizmin.

Edhe nën këtë aspekt, ai e sheh të vështirë edhe 2023. Pavarësisht se pranon se njerëzve iu është rizgjuar furishëm dëshira për të udhëtuar.

Megjithatë ai sheh si problem gjithashtu situatën ekonomike që është krijuar si pasojë e luftës Rusi-Ukrainë duke shtrenjtuar çmimet dhe kostot e jetesës njëkohësisht.

“2023 pritet të jetë me interes nga njerëzit për të lëvizur. Lexoj që ka dëshirë, por kriza ekonomike është globale. Ky mund të jetë një handikap, vështirësia ekonomike. Do të kenë më pak para për të udhëtuar.”-shpjegon Gërxhani.

Mungesa nëpër panaire tradicionale të turizmit është një tjetër vlerë e shtuar e munguar për turizmin shqiptar sipas drejtuesit të ATOA.

Ai evidenton se ministria nuk po i konsideron panairet edhe pse “ne i kemi thënë të reklamohemi në panairet tradicionale. Më në fund shkuam në Berlin pas insistimit tonë. Por për çudinë tonë, ministria nuk ftoi asnjë nga turoperatorët. Hera e parë që ndodh. Por u thotë operatorëve gjeni vetë stendë në momentin e fundit.”

Kjo për Gërxhanin tregon një lloj kaosi, mungese organizimi, një vizion ndryshe nga vizioni i vetë biznesit për të bërë marketingun e Shqipërisë dhe për të vendosur standard.

“Kështu që jemi në pritje të koordinojmë forcat sepse rritja e volumit, i thonë 7.5 mln turistë kërkon urgjentë të absorbojmë ata turistë dhe të mos falimentojmë njëri pas tjetrit nga informaliteti kush të zhvasë nga një copë më përpara,” thotë Gërxhani.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro është shprehur para pak ditësh se do të rishihet ligji i turizmit dhe prurjet turistike në një kohë të shkurtër me anë të promovimit mund të arrijnë në 10 mln turistë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë