Nga Gazeta ‘Si’- Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i kryesuar nga Diego Cerdeiro, zhvilloi një vizitë në Shqipëri nga 28 maji deri më 2 qershor, ku zhvilloi takime me drejtuesit e Bankës së Shqipërisë dhe Guvernatorin Gent Sejko.
Gjatë takimeve u diskutuan zhvillimet ekonomike, politika monetare dhe stabiliteti financiar i vendit.
Guvernatori Sejko deklaroi se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet, duke sjellë më shumë punësim dhe paga më të larta. Sipas tij, janë përmirësuar edhe tregues të rëndësishëm si inflacioni, borxhi publik, kreditë me probleme dhe gjendja financiare e sektorit bankar.
FMN vlerësoi se ekonomia shqiptare po tregon qëndrueshmëri, e mbështetur nga rritja ekonomike, tregu i punës dhe kushtet e favorshme financiare. Megjithatë, institucioni paralajmëroi se mbeten rreziqe që lidhen me zhvillimet ndërkombëtare dhe tensionet gjeopolitike.
Sa i takon inflacionit, FMN theksoi se ai është ndikuar nga rritja e çmimeve të energjisë dhe se pritjet inflacioniste duhet të monitorohen me kujdes. Misioni vlerësoi si të përshtatshme politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë.
Në lidhje me kursin e këmbimit, FMN konfirmoi se forcimi i lekut lidhet me përmirësimet strukturore të ekonomisë dhe mbështeti ruajtjen e regjimit të lirë të kursit të këmbimit.
Për sistemin bankar, FMN vlerësoi se bankat shqiptare paraqiten të qëndrueshme, me kapitalizim dhe likuiditet të lartë, cilësi të mirë të portofolit të kredive dhe rezultate pozitive financiare.
Gjatë vizitës u diskutuan edhe sfidat afatgjata të ekonomisë shqiptare, si zhvillimet demografike, produktiviteti dhe procesi i integrimit në Bashkimin Europian. FMN dhe Banka e Shqipërisë riafirmuan bashkëpunimin e tyre për ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje