Njerez

Largimi i mjekëve në Gjermani/ Kur kërcënimi nuk funksionon, Ministria e Arsimit jep ‘zgjidhje’ tjetër

Nga Gazeta Si Prej vitesh, studimet në mjekësi apo infermieri shihen nga të rinjtë si mundësi për t’u larguar nga Shqipëria. Kryesisht drejt Gjermanisë.

Në dekadën e fundit, sipas Federatës së Mjekëve shqiptarë në Europë, nga Shqipëria janë larguar mbi 3.000 mjekë, 1.500 prej të cilëve drejt Gjermanisë.

Ata ankohen kryesisht për kushte jo të mira në spitale, mungesa medikamentesh dhe paga të ulëta.

Paga mesatare bruto e një mjeku në Shqipëri arrin në 110.000 lekë, apo 950 euro ndërkohë që në Gjermani pagën fillestare e kanë 1800 euro.

Sipas kryeministrit Edi Rama, deri në tetor të këtij viti, Shqipëria nuk kishte mungesë mjekësh e as infermierësh. Përkundrazi, “kemi akoma në listë pritje mjekë dhe infermierë që presin të punësohen”. Por, që kjo të mos ndodhë, Rama tha se duhet të merren masa.

“Diplomën e mjekut nuk do ta japim sapo të mbarosh shkollën. Do të shkosh njëherë t’ia kthesh popullit tënd atë që ka bërë ai për ty, pastaj do ta marrësh edhe diplomën dhe shko ku të duash, sipas afateve të caktuara”, tha Rama më 18 tetor. Ai sqaroi më vonë se diploma do të bllokohet për tre vjet. Për mbrojtje, Rama tha se mjekët në shumë vende nuk i marrin diplomat menjëherë, por nuk specifikoi se për cilat vende e kishte fjalën.

“Nuk mund të paguajë populli shqiptar për mjekët e Gjermanisë”, tha ai.

Në 20 shtator, Gazetasi.al shkroi se mbi 1900 infermierë të sapodiplomuar ishin në pritje të provimit të shtetit prej të cilit përfitojnë licencën e profesionit. Burime thanë se vetëm në periudhën janar-korrik 2022, mbi 580 infermierë të rinj kërkuan plotësim të dokumentacionit pranë Urdhrit të Infermierit me synim emigrimin në Gjermani.

Ndërkohë, në nëntor, një muaj pasi Rama “kërcënoi” këdo që diplomohet për mjekësi, të dhënat tregonin të kundërtën.

Në portalin “Mjekët për Shqipërinë” janë 223 mjekë të papunë që presin të punësohen. Nga një vëzhgim i Gazetasi.al, në disa spitale rajonale, rezultoi se nuk ka mjekë specialistë. Ndërkohë në Tiranë, shërbimi parësor është hallka që po e vuan më shumë largimin e mjekëve drejt Gjermanisë, duke treguar se dëshirën për të ikur nuk ua ka zbehur ‘konfiskimi’ i diplomës për 3 vite (ashtu siç tha Rama).

Ndoshta këtë ka kuptuar edhe qeveria e prandaj Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka ulur tonet dhe ka menduar një mënyrë tjetër për të mbajtur mjekët dhe infermierët në vend, duke pranuar edhe për herë të parë se vendi është në krizë. Deklaratat ajo i ka bërë sot, pikërisht nga Universiteti i Mjekësisë, me rastin e 70-vjetorit të krijimit të këtij Universiteti.

“Një nga sfidat që ne kemi përpara dhe që duhet ta shikojmë drejt në sy e duhet ta pranojmë është largimi i mjekëve dhe infermierëve të rinj kryesisht, drejt vendeve të BE-së. Natyrisht drejt pagave më të larta, një cilësie jete më të mirë, por edhe si përgjigje të nevojave që ka sot tregu europian për profesionistë në fushën e mjekësisë”, tha Evis Kushi gjatë një takimi në Universitetin e Mjekësisë.

Ajo tha se edhe pse gjithsecili ka të drejtë të zgjedhë ku të jetojë e punojë, “ne i duam të rinjtë tanë këtu, në Shqipëri”.

Për këtë arsye ministrja u shpreh se janë ndërmarrë një sërë reformash. Përveç rritjes së vazhdueshme të pagave të mjekëve, përmirësimit të infrastrukturës shëndetësore, janë hartuar edhe politika të reja arsimore.

Një nga politikat është ajo për maturantët dhe studentët e shkëlqyer të cilët përjashtohen nga tarifat dhe përfitojnë bursa sa paga minimale, por “natyrisht me kushtin që pas diplomimit të punojnë, jetojnë, e të japin kontribut për vendin minimumi për 3 vite” duke uruar (në formë lutjeje) që të rinjtë ta shohin të ardhmen në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë