Njerez

Sivjet 1900 infermierë të rinj në pritje të licencës, por mbi 90% ikin drejt Gjermanisë. Si bëhet rekrutimi

Nga Ina Ahmetaj - Bjorni ka marrë pikët thuajse maksimale në portalin e hapur nga qeveria për punësimin e infermierëve. Ai prej një viti është punësuar në institucionin e Urdhrit të Infermierit. Por tani edhe ai po bën gati dosjen për të emigruar. Arsyeja? E gjithë klasa e tij po shkon në Gjermani.

Nëse e pyet, ai thotë se shkak i emigrimit nuk është vetëm paga, por mbi të gjitha standardi i jetës dhe vlerësimi që merr nëse punon në një nga spitalet apo klinikat e huaja, në raport me Shqipërinë. “E di që fillimi është i vështirë për të gjithë, por të paktën, do të vijë një ditë që do të na shpërblehet mundi. Kurse në Shqipëri vendet e infermierëve në pavijonet e mira zakonisht gjenden me mik ose me pagesë”, thotë i riu.

Japin provimin e shtetit, pastaj drejt Gjermanisë

Mbi 1900 infermierë të sapodiplomuar janë në pritje të provimit të shtetit që do të jepet më 21 shtator 2022, prej të cilit përfitojnë dhe licencën e profesionit.

Ky dokument u hap atyre rrugën e emigrimit në Gjermani, e cila ka përthithur në 3 vitet e fundit mbi 90 për qind të infermierëve që kanë përfunduar studimet e larta.

Burime për Gazetasi.al thanë se vetëm në periudhën janar-korrik 2022, mbi 580 infermierë të rinj kërkuan plotësim të dokumentacionit pranë Urdhrit të Infermierit, me synimin emigrimin në Gjermani. Ndërkohë që me licencimin e 1900 të rinjve për këtë vit akademik, pritet që të rritet edhe më tej numri i infermierëve që do të emigrojnë jashtë vendit.

Si kryhet rekrutimi i infermierëve të rinj drejt Gjermanisë?

Sipas burimeve të Gazetasi.al, në vendin tonë operojnë disa kompani të huaja kryesisht ato që ofrojnë punësim në Gjermani, kompani të cilat plotësojnë dosjet e punësimit për infermierët e rinj që duan të emigrojnë në këtë shtet.

Burimet thonë se mbi 2/3 e numrit të të diplomuarve paraqiten pranë kompanisë së njohur “DEKRA”, e cila ofron kursin e gjuhës gjermane, niveli B2, si kriter kryesor për punësimin e infermierëve në Gjermani.

Kompani të tilla ofrojnë dhe praktika mësimore me qëllim që infermierët që do të emigrojnë në Gjermani, të marrin dhe provimin e licencës që kryhet jashtë vendit.

Burimet i thanë Gazetasi.al se rekrutimet nuk janë ndalur as në vitet e pandemisë dhe kërkesat sa vijnë dhe shtohen.

1200 infermierë në listë pritjeje në portalin “Infermierë për Shqipërinë”

Në portalin e hapur nga qeveria për punësimin e infermierëve, konstaton se deri në 19 shtator të këtij viti, në listë pritjeje për t’u punësuar janë afro 1200 persona në të gjithë vendin, me profesion infermierë dhe mami.

Ndërsa të punësuar të rinj në sektorin publik shëndetësor, kryesisht në rajonin e Tiranës për muajin shtator 2022, janë vetëm 67 infermierë, teknikë laboratori dhe imazheristë. Kjo është një shifër shumë e ulët në raport me numrin e lartë të infermierëve që presin të punësohen.

Sipas ndarjes me rajone, Rajoni Tiranë renditet i pari me 552 kërkesa për punë, më pas vjen Elbasani me 291 infermierë e mami në pritje për punësim, 253 të tjerë në Vlorë dhe 230 në Shkodër.

Duket se kjo kategori që pret për t’u punësuar, është edhe më e prirura të përgatisë dosjen për të emigruar, ndonëse edhe ky proces ka koston e vet si mësimi i gjuhës gjermane, praktika etj.

Premtimi për rritje page nuk jep efekt

Nëse e pyet Ambrën, që është diplomuar vitet e fundit dhe që ka nisur punë si infermiere provizore në Qendrën Shëndetësore nr.3 në Tiranë, se sa do ta donte pagën e saj, nuk të jep një shifër. Ajo e di se në Shqipëri do të vijojë të punojë për disa vite me radhë me një shumë prej 48 mijë lekësh. Ndaj, për të plotësuar nevojat e saj, duhet të punojë më shumë se në një vend pune.

“Por unë nuk dua të jetoj me këtë ritëm. Sepse kështu nuk mund të krijoj familje, të rris fëmijët. Mendoj të emigroj dhe kam nisur të plotësoj dosjen. Jam regjistruar në kursin e gjuhës gjermane dhe për 18 muaj duhet të përfundoj gjithë procesin e rekrutimit. Dua të emigroj dhe të ndërtoj një jetë të re jashtë vendit”, thotë Ambra.

Qeveria ka premtuar një rritje page me 6 për qind për punonjësit e sektorit shëndetësor, një rritje e papërfillshme që nuk tundon asnjë të sapodiplomuar, madje as infermierë me përvojë pune që edhe ata janë të gatshëm të emigrojnë.

Kontratat në Gjermani, 1800 euro paga fillestare

Në kontratat e punësimit në Gjermani, pagesa fillestare me të cilën nis punën një infermier që emigron nga Shqipëria është 1800 euro. Kontrata që firmoset me kompanitë që operojnë në Shqipëri, të detyron që për 2 vite të mos ndryshosh vendin e punës e pas kësaj periudhe je i lirë të lëvizësh kudo të dëshirosh.

“Shumë të rinj e të reja kanë ndryshuar vendet e punës pas 2 vitesh, me kushte më të mira pune e padyshim me pagë më të mirë dhe askush nuk është kthyer pasi ka emigruar në Gjermani”, thonë burimet nga kompanitë që punësojnë infermierë shqiptarë në Gjermani.

Të gjitha këto arsye kanë bërë që klasat që përfundojnë Infermierinë, në sistemin publik dhe privat në Shqipëri, të emigrojnë pa më të voglën dilemë, përfshi këtu edhe ata infermierët që përfundojnë me rezultate të shkëlqyera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë