Komunitet

Shëndetësia në krizë: Refuzohen punësimet në rrethe, veç 14 mjekë të kualifikuar për nëntorin

Gazeta Si - Prej disa vitesh mjekë e infermierë po emigrojnë jashtë Shqipërisë dhe ky numër sa vjen e shtohet. Efektet e emigrimit po i ndjen sistemi publik shëndetësor i cili nuk ka mjaftueshëm staf për përballimin e nevojave të kujdesit shëndetësor.

Nga një vëzhgim i Gazetasi.al, në disa raste të spitaleve rajonale në vend, nuk ka mjekë specialistë. Edhe në Tiranë, shërbimi parësor është hallka që po e vuan më shumë largimin e mjekëve drejt Gjermanisë.

“Ka një vit që mjekja e familjes është larguar dhe ne e marrim shërbimin në mjekë të tjerë të ambulancës, ndonëse në sistemin e-albania figurojmë akoma si pacientë të saj”, thotë një paciente e zonës së “Siri Kodrës”.

Nëse bën një vëzhgim në disa pika ambulatore në Tiranë, pjesa më e madhe e dyerve janë të mbyllur dhe vetëm 1 ose 2 mjekë i përgjigjen kërkesave të pacientëve.

Por pse nuk zëvendësohen mjekët që largohen?

Në portalin “Mjekë për Shqipërinë”, në publikimin e fundit që mban datën 21 nëntor 2022, janë 14 mjekë të kualifikuar në dy fazat e testimit për vendin e punës.

Vetëm në Tiranë janë 8 mjekë të përgjithshëm që kanë kaluar dy fazat e kualifikimit, një kardiolog dhe një mjek obstetër gjinekolog.

Ndërsa rajonet me numrin më të vogël të mjekëve të kualifikuar për tu punësuar janë Vlora, 2 mjekë të kualifikuar dhe rajoni Shkodër e Elbasan me vetëm një mjek nga 2 të testuar.

Ajo që të çudit ndërsa vëzhgon portalin “Mjekë për Shqipërinë”, është lista e gjatë në pritje e mjekëve të papunë. Ata janë plot 223 por në fazat e kualifikimit kanë hyrë vetëm 16.

Duket se nga ana e mjekëve ka refuzim të punësimeve në spitalet e rretheve me gjithë bonusin e premtuar nga qeveria.

Burime konfidenciale i thanë Gazetasi.al se në pritje të një vendi pune në Tiranë, pjesa më e madhe e mjekëve të papunë, gjejnë opsione punësimi në sistemin privat, konkretisht si agjent shitjes të kompanive të mëdha farmaceutike.

Refuzimi që po u bëhet spitaleve të rretheve lidhet dhe me numrin e vogël të vizitave që kryhen atje, duke qenë se Tirana me spitalet e saj vijon të jetë “minierë ari” për bluzat e bardha që punojnë në shërbimin publik shëndetësor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë