Dosje

Të gjithë të dyshuar për ngarkesat e vazhdueshme me kokainë të kapura në port. I vetmi i pakorruptuar, qeni i policisë

Gazeta Si – Ngarkesa të vazhdueshme droge të kapura në portin e Durrësit po tregojnë se DEA në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese shqiptare dhe të rajonit, po ndjek në Shqipëri operacione të narkotrafikut, ku trafikantët vendas përfundimisht kanë rol të rëndësishëm.

Një burim pranë Policisë së Shtetit, deklaroi se janë një seri hetimesh që po kryhen me proaktivitet pas dërgesave të vogla, të kapura në formë sporadike, por edhe ndaj atyre që u ndoqën me dorëzim të kontrolluar.

LEXO EDHE:
– Nga prita në Romanat te kërcënimi dhe kallëzimi në polici. Itinerari i kamionit me kokainë sipas dëshmisë së shoferit
– ‘Kokaina’, si shpëtojnë trafikantët dhe kapen shoferët. A po na besojnë partnerët ndërkombëtarë për të hetuar?

Më e fundit ishte ajo e  zbulimit të mëse 33 kilogramë kokainë të zbuluara nga operacioni “ Again’ (Përsëri), që ekspozoi sërish kompaninë e furnizimit me fruta ekzotike pas sekuestrimit  të pandërprerë të dërgesave me drogë.

Por teksa pronari i kompanisë u shpall në kërkim, edhe operacioni i radhës anidrogë nxorri në dritë të njëjtën problematikë si edhe ai korrikut, ku forca të sigurisë portuale u kapën gafil dhe në shkelje të detyrës.

Asgjë nuk ndodhi me 20 punonjësit

Operacioni më i madh në kufijtë e një skandali, ishte ai i mungesës së 50 arkave me banane nga 1.200 që ishin dhe që gjatë hetimit të prokurorisë së zakonshme të qytetit bregdetar, u tha se gati 20 punonjës të portit duhet të mbajnë përgjegjësi se si u zhdukën arkat me banane të “Jumbo Bana King” midis netëve 13 dhe 14 korrik. 

Me detyra të caktuara që preknin pozicione të ndryshme, u kuptua se në kontejnerin e dyshuar, ishte lënë vetëm një roje sigurie, por që pavarësisht hapjes së tij, prokuroria nuk e tha dot me zë të lartë se në të vërtetë aty ishte zhdukur drogë.

Magazinat në Vaqarr

Një skenar i parë edhe më herët gjatë kohës kur Drejtor i Përgjithshëm i Policisë ishte Gledis Nano dhe që u njoftua nga Trifon Murataj për hapjen e kontejnerit.

Gjatë kontrolleve policore të kërkuara nga subjekti në Vaqarr, u kapën 119 kilogramë kokainë, që ishin paketuar së bashku me bananet e nisura nga Ekuadori.

Por kjo dosje mbeti e pasqaruar mirë, ndonëse provat kërcisnin nisur nga mënyra se si u kontrollua kamioni dhe u deklarua i pastër, e më tej gjatë udhëtimit drejt kryeqytetit, shoferi tha se i dolën përpara njerëz të armatosur që kërkonin diçka në automjet.

Por ky incident nuk u denoncua në kohë dhe çështja u la sipas versionit të njoftuar nga Murataj.

Skandali i radhës u pësërit verën e këtij viti, që dërgoi 20 persona në burg, ndonëse më pas ata u lehtësuan me masa të buta sigurie, nga pezullimi prej detyrës, deri në detyrim paraqitje.

Të 20 të dyshuarit në atë kohë u shfajësuan mbi mënyrën se si kontrolloheshin hyrjet në nivel risku, ç’ka solli lirimin e tyre përfshi punëtorë të kompanisë “Zico SHA”, si dhe punonjës sigurie dhe të FSP.

Punonjësit e skanerit “nuk panë gjë”

Në operacionin e radhës antidrogë, pavarësisht fitores në kapjen e kokainës, sërish departamenti i policisë kriminale vërejti ngërç dhe hije dyshimi tek punonjësit e portit.

Dy punonjës të skanerit u arrestuan mes njerëzve që mbyllën sytë dhe nuk vërejtën pakot me kokainë të fshehura në kutitë me banane, kurse së bashku me ta përfundoi nën arrest edhe administrator i kompanisë.

Kurse pronari Trifon Murataj, prej orësh është në kërkim policor për shkak të rolit të tij si president i kompansië “Zico SHA”.

Prokuroria i thotë Gazetasi.al se droga dhe bananet mbërritën në Durrës në datën 28 tetor pas një udhëtimi përmbi një mujor nga nisja e kontejnerit nga porti  “Puerto Bolivar”.

Por pavarësisht se pritej që ngarkesa të konstatohej nga skaneri për shkak të nivelit të riskut, dy punonjësit e skanerit, Alban Naziraj dhe Artur Sevdaraj nuk vërejtën asgjë të dyshimtë.

Përveç qenit antidrogë…

Kjo ngarkesë u zbulua nga qeni antidrogë, që siç kuptohet ishte i vetmi ndihmës i policisë i pakorruptuar.

Prokuroria thekson për Gazetasi.al se në dukje një operacion i rastësishëm, në të vërtetë hetimi përfshin një seri veprimesh proaktive të tillë, si përgjimet dhe vëzhgimet, por edhe lëvizjet e punonjësve

“Përfundimisht në portin e Durrësit stafi mund të konsiderohet i dyshimtë dhe ne kemi diskutuar që të mos mungojë vëzhgimi për ta”, – tha një burim shumë i sigurt policer, që gjatë bisedës anonime me Gazetasi.al, kujtoi edhe episode të mëparshme të vjedhjes së ngarkesave dhe në dukje të pakove me banane.

“Kjo nuk mund të ndodhë pa bashkëpunim të brendshëm”, – këmbëngul zyrtari i policisë që është përfshirë në ekipet e huaja për hetimin e trafikut ndërkombëtar të drogës, me burim primar Kolumbinë ose Ekuadorin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë