Ekonomi

Erdogan apo Biden, dy luftra të ndryshme ndaj inflacionit

Nga Gazeta ‘SI’ – Gjenerali i ushtrisë së keqe që po sulmon sot ekonominë botërore është inflacioni. Ushtria e mallrave me çmime të larta po gllabëron buxhetet familjare duke trembur konsumatorin. Vendet për t’ju shmangur recesionit i cila do të ishte plaga që do të shtrinte në reaminacion ekonominë, po përdorin disa mjete. Arma kryesore është politika monetare, por ekzaktësisht dy vende me ekonomi domethënëse, megjithëse kanë të njëjtin qëllim të “vrasin” inflacionin po e përdorin atë për qëllime diametralisht të kundërta. Ato janë Turqia dhe SHBA-ja.

Rasti i Turqisë

Recep Tayyip Erdogan me idetë e tij aspak ortodokse mbi ekonominë që ka hequr nga puna 3 guvernatorë në 3 vite, beson se rritja e normës së interesit në fakt e rrit inflacionin dhe jo e kundërta, duke i cilësuar interesat e larta si “burimi i të keqes”.

Qëllimi i Erdogan, personi që vendos dhe drejtimin e politikës monetare në vend, më shumë se sa uljen e inflacionit synon rritjen ekonomike dhe të eksporteve. Sipas tij, një ekonomi e fortë mund të përballojë dhe çmimet e rritura.

Qasja e tij ka rrënuar ekonominë turke.

Recep Tayyip Erdogan, president i Turqisë

“Lira mbetet e dobët, yield-et reale janë artificialisht të ulëta, inflacioni është rritur dhe të ardhurat janë në deficit. Kjo ka bërë që investitorët ndërkombëtarë të braktisin tregun e bonove në monedhën vendase në Turqi në vitet e fundit,” tha Daniel Wood, menaxher i portofolit në William Blair Investment Management.

Qeveria turke ka ndjekur strategji alternative për të përforcuar monedhën e vet, përfshirë inkurajimin e depozitave në lira, shitjen e rezervës së dollarit për lira, që ka tkurrur rezervën në monedhë të huaj dhe ka marrë ndihmë nga shtetet e pasura të Gjirit.

Ankaraja ka mbajtur miqësinë edhe me Moskën, duke tërhequr miliarderët rusë që tentojnë të shmangin sanksionet e perëndimit. Ministri i Financave i Turqisë i ka mbrojtur lidhjet ekonomike të Ankarasë me Rusinë si “marrëdhënie të mira fqinjësore” edhe pse qeveritë perëndimore ngrenë shqetësime se vendi po shërben si një derë e pasme për Moskën për t’iu shmangur sanksioneve. Nebati këmbënguli se lidhjet ekonomike midis dy vendeve ishin “ligjore”. 28 miliardë dollarë të dyshimtë u futën në ekonominë e Turqisë në tetë muajt e parë të 2022.

Rasti i SHBA-së

Siç e quan The Economist, “Bidenomics”, politikat ekonomike që po ndjek presidenti amerikan, synojnë, proteksionizmin, nxitjen e prodhimit dhe industrisë vendase, mbështetjen për klasën e mesme dhe ekonominë “e gjelbërt”.  Biden, ndryshe nga Erdogan, por në përputhje me Bankën Federale, beson skajin tjetër të politikës monetare, rritje agresive të normës së interesit.  Bankierët e saj njësoj si ata në Turqi po kundërshtojnë bazat e ekonomisë. Milton Friedman thoshte se kur ndryshohet një herë politika monetare duhet t’i lihet kohë që të japë efekt para se të ndërmerren veprime të tjera.

Në të njëjtën kohë, kur Fed nuk mban dot as inflacionin objektiv po riblen në shkallë të lartë obligacione, një tjetër qasje aspak ortodokse në financë.

Foto ilustruese nga “The Economist”, “Ndërhyrja e qeverisë amerikane në ekonomi”

Në “Bidenomics” përfshihet edhe zhdukja e “laissez faire” dhe rikthimi i dorës së padukshme të shtetit duke ndërhyrë në ekonomi. Vetë ai është fajtor për inflacionin në SHBA, ai injektoi aq shumë para në ekonomi sa që kërkesa për mallra u rrit masivisht dhe bashkë me të edhe inflacioni.

Normat e larta të inflacionit kanë forcuar dollarin dhe ndryshe nga ngjarjet në Turqi, ato në SHBA po kalojnë territoret. Investitorët e huaj po tërhiqen nga vendet e tjera duke synuar asetet amerikane me kthime më të larta dhe eksportet me një dollar të mbivlerësuar kanë rritur kostot për vendet europiane.

Shtylla që mban Bidenomics është besimi se një shtet më ndërhyrës mund të riformojë ekonominë, si brenda dhe jashtë vendit.

Një strategji zgjedhjesh?

Ekspertët e tregut thonë se për Turqinë kjo mund të jetë një strategji që i siguron fitore në zgjedhjet e përgjithshme të korrikut 2023.

“Strategjia pro rritjes së ekonomisë mund t’i japë fitoren Erdogan por do të rrisin kërkesën për importe, do të ulin konkurrencën dhe do të rrisin më tej deficitin buxhetor”, – tha Timothy Ash, drejtues i BlueBay Asset Management.

Erdogan vazhdon të jetë i vendosur se deri në fund të vitit normat e interesit do të shkojnë me shifra teke. “Beteja ime më e madhe është kundër rritjes së interesave. Armiku im më i madh. Ne i ulëm në 10% a është mjaftueshëm? Jo. Duhet të ulet më tej”, – tha Erdogan.

Banka Qendrore e Turqisë ka njoftuar se një tjetër ulje do të vijë në nëntor dhe kjo mund të jetë e fundit.

Për SHBA-në po ashtu po afrohen zgjedhjet afatmesme dhe sipas të analistëve, të gjithë lëvizjet e Biden po ndodhin pikërisht për këtë situatë. Bashkë me masat financiare, Biden vendosi të falë në rang federal të dënuarit e kapur me posedim të marijuanës, në masa të vogla dhe mundësinë e rikthimit të drejtës së abortit dhe ai e di se cilat janë çështjet më shqetësuese për votuesit, specifikisht inflacioni.

Masat intensive të presidentit amerikan për të “mbrojtur” qytetarët dhe klimën erdhën vetëm në mesin e këtij vitit. Ai po tenton të rikuperojë dinjitetin e tij pasi popullariteti i tij shënoi nivelet më të ulëta në fillim të vitit 2022. Në gusht 2022, 57% e qytetarëve amerikanë nuk u pëlqente puna e Biden si president.

Çfarë mund të mësojnë nga njëra-tjetra dy vende që po shkelin bazat e ekonomisë?

Dikush mund të thoshte thjesht “turq të çuditshëm që bëjnë ekonomi të çuditshme”. Por sipas Douglas Holtz-Eakin, një ekonomist amerikan thotë se kjo situatë jep dy mësime për SHBA-në. Fillimisht, inflacioni është rrënjosur dhe në një situatë të tillë nuk ka politikë të mirë dhe të keqe monetare. Dikush mund të jetojë me inflacionin, ose të jetojë me pasojat (rritje më të ngadaltë) të politikave për të luftuar inflacionin. Shpjegimi më i mirë për Turqinë është se me zgjedhjet e përgjithshme që priten vitin e ardhshëm, presidenti ka zgjedhur të parën: Stimuloni ekonominë dhe jetoni me inflacionin. “Qëllimi është që gjërat të çohen përpara, për mirë apo për keq, deri në zgjedhje.”

Mësimi i dytë është se kjo krijon bazat për probleme edhe më të mëdha në të ardhmen. Zyrtarisht, Turqia ka një objektiv inflacioni prej 5% . Banka qendrore që bën një kthesë në këtë pikë është një recetë për të shkatërruar çfarëdo besueshmërie që ruan për luftimin e inflacionit.

Ndërsa Fed është në një betejë për të krijuar besueshmërinë e saj në luftën kundër inflacionit. Gabimi më i keq që mund të bënte do të ishte lehtësimi i parakohshëm i kushteve financiare dhe dështimi për të arritur objektivin e tij prej 2%.

Do të ketë presion politik për ta bërë këtë, por mbajtja e kursit do të përfshijë disa dhimbje ekonomike që kanë një fitim: Një mjedis i stabilitetit të çmimeve është i nevojshëm për punësim të lartë të qëndrueshëm dhe rritje të vazhdueshme.

Një mësim kyç nga përvoja turke është se dështimi për të rritur normat e interesit në kohën e duhur për të shmangur rreziqet e inflacionit, lejon që ai të mos i përgjigjet fare masave. Kjo, nga ana tjetër, rrezikon të intensifikojë presionet inflacioniste, ndërsa konsumatorët rrisin shpenzimet e tyre në pritje të çmimeve më të larta në vijimësi. Gjithashtu rrezikon të nxisë një vrull shitjesh të monedhës vendase nga vendasit e të huajt, në pritje të humbjeve të ardhshme në vlerën e saj.

Nevoja aktuale e Fed për të mbajtur inflacionin “nën kontroll” është edhe më e rëndësishme në kontekstin e sotëm të SHBA-së të një stimuli buxhetor rekord në kohë paqeje dhe me rreth 2 trilion dollarësh kursime të familjeve që mbahen kryesisht në depozita bankare me interes të ulët. Nëse familjet fillojnë t’i tërheqin këto kursime nga frika e çmimeve më të larta, do të kishim një rritje të mëtejshme të padëshiruar të kërkesës agregate. Kjo, nga ana tjetër, mund të na çojë në rrugën e shkelur të Turqisë të rritjes së inflacionit dhe nënçmimit të monedhës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë