Fëmijët dhe pjesëtarë të tjerë të familjes futen ‘live’ në TikTok për orë të tëra, duke u lutur për dhurata digjitale që këmbehen në vlerë parash.
BBC pa transmetime ku fitohen deri në 1000 dollarë në orë, por zbuloi se njerëzit në kampe merrnin vetëm një pjesë të vogël të kësaj shume.
TikTok tha se do të ndërmarrë veprime të menjëhershme kundër shfrytëzimit të lypjes.
Kompania tha se kjo lloj përmbajtje nuk lejohej në platformën e saj dhe shtoi se komisioni që merr platforma nga dhuratat dixhitale ishte dukshëm më pak se 70% edhe pse nuk pranoi të konfirmojë shumën e saktë.
Në fillim të këtij viti, përdoruesit e TikTok panë pafund video ku njerëz të varfër, shumë prej tyre të gjymtuar, futeshin live dhe kërkonin lëmoshë duke marrë mbështetje nga disa njerëz dhe kritika nga të tjerë që i shohin të gjitha këto si mashtrime.
Në kampet në Sirinë veri-perëndimore, BBC zbuloi se trendi po ‘lehtësohej’ nga të ashtuquajturit ndërmjetës të TikTok, të cilët u siguruan familjeve telefonat dhe pajisjet për t’u transmetuar.
Ndërmjetësuesit thonë se ato punonin me agjencitë e lidhura me TikTok në Kinë dhe Lindjen e Mesme, të cilët u dhanë familjeve akses në llogaritë e TikTok. Këto agjenci janë pjesë e strategjisë globale të TikTok për të rekrutuar persona që futen live dhe për të inkurajuar përdoruesit të kalojnë më shumë kohë në aplikacion.
Meqenëse algoritmi i TikTok sugjeron përmbajtje bazuar në origjinën gjeografike të numrit të telefonit të një përdoruesi, ndërmjetësit thanë se preferojnë të përdorin kartat SIM britanike duke qenë se njerëzit nga Britania e Madhe janë më bujarë.
Mona Ali Al-Karim dhe gjashtë vajzat e saj janë ndër familjet që futen live në TikTok çdo ditë, duke u ulur në dyshemenë e çadrës së tyre për orë të tëra, duke përsëritur disa fraza angleze që dinë: “Ju lutemi bëni like, ju lutemi shpërndajeni, ju lutemi dhuroni”.
Burri i Monës u vra në një sulm ajror dhe ajo po përdor transmetimet e drejtpërdrejta për të mbledhur para për një operacion për vajzën e saj Sharifa, e cila është e verbër.
Dhuratat që ato kërkojnë janë virtuale, por ato u kushtojnë shikuesve para reale dhe mund të tërhiqen nga aplikacioni si para. Shikuesit e transmetimit të drejtpërdrejtë i dërgojnë dhuratat, duke filluar nga trëndafilat dixhitalë, që kushtojnë disa cent, te luanët virtualë që kushtojnë rreth 500 dollarë, për të shpërblyer krijuesit për përmbajtjen.
Për pesë muaj, BBC ndoqi 30 llogari të TikTok që transmetonin drejtpërdrejt nga kampet siriane për personat e zhvendosur dhe ndërtoi një program kompjuterik duke treguar se shikuesit shpesh bënin dhurata dixhitale me vlerë deri në 1000 dollarë në orë për çdo llogari.
Megjithatë, familjet në kampe thanë se po merrnin vetëm një pjesë të vogël të këtyre shumave.
Me TikTok që refuzoi të thotë se sa marrin nga dhuratat, BBC kreu një eksperiment për të gjurmuar se ku shkojnë paratë.
Një reporter në Siri kontaktoi një nga agjencitë e lidhura me TikTok duke thënë se ai jetonte në kampe. Ai mori një llogari dhe doli live, ndërsa stafi i BBC në Londër dërgoi dhurata me vlerë 106 dollarë nga një llogari tjetër.
Në fund të transmetimit të drejtpërdrejtë, gjendja e llogarisë testuese siriane ishte 33 dollarë. TikTok kishte marrë 69% të vlerës së dhuratave.
Influencuesi i TikTok dhe ish-lojtari profesionist i regbisë Keith Mason dhuroi 330 dollarë gjatë një video të një familjeje dhe inkurajoi afro një milion ndjekësit e tij të bëjnë të njëjtën gjë.

Kur u tha nga BBC se shumica e këtyre fondeve ishin marrë nga kompania e mediave sociale, ai tha se ishte “qesharake” dhe “e padrejtë” për familjet në Siri.
“Duhet të ketë njëfarë transparence. Për mua, kjo është shumë e padrejtë. Është e padrejtë”, tha ai.
33 dollarët e mbetur nga dhurata prej 106 dollarësh e BBC-së u reduktuan me 10% të tjera kur u tërhoqën nga dyqani lokal i transfertave të parave. Ndërmjetësit e TikTok do të merrnin 35% të pjesës së mbetur, duke lënë një familje me vetëm 19 dollarë.
Hamid, një nga ndërmjetësit e TikTok në kampe, i tha BBC-së se kishte shitur bagëtinë e tij për të paguar një telefon celular, kartë SIM dhe lidhje Wi-Fi për të punuar me familjet në TikTok.
Tani transmeton me 12 familje të ndryshme, disa orë në ditë.
Hamid tha se ai përdor TikTok për të ndihmuar familjet të bëjnë jetesën. Ai u paguan atyre shumicën e fitimeve, minus kostot e tij të punës.
Ashtu si ndërmjetësit e tjerë, Hamid tha se ai mbështetej nga “agjencitë e drejtpërdrejta” në Kinë, të cilët punojnë drejtpërdrejt me TikTok.
“Ata na ndihmojnë nëse kemi ndonjë problem me aplikacionin. Ata zhbllokojnë llogaritë e bllokuara. Ne u japim emrin e faqes, foton e profilit dhe ata hapin llogarinë”, tha Hamid.
Agjenci si këto, të njohura si “reparte të transmetimit të drejtpërdrejtë” dhe të bazuara në të gjithë botën, kontraktohen nga TikTok për të ndihmuar krijuesit e përmbajtjes të prodhojnë transmetime të drejtpërdrejta më tërheqëse.
Marëa Fatafta, nga organizata e të drejtave dixhitale Access NoW, thotë se këto transmetime të drejtpërdrejta janë në kundërshtim me politikat e vetë TikTok për të “parandaluar dëmtimin, rrezikimin ose shfrytëzimin” e të miturve në platformë.
“TikTok thekson qartë se përdoruesit nuk lejohen të kërkojnë në mënyrë eksplicite dhurata, kështu që kjo është një shkelje e qartë e kushteve të tyre të shërbimeve, si dhe e të drejtave të këtyre njerëzve”, tha ajo.
Ajo pranon se njerëzit kanë të drejtë të ndajnë historitë e tyre në internet “për t’u përpjekur të kërkojnë mbështetje dhe simpati”, por ajo thotë se këtyre transmetimeve të drejtpërdrejta “u mungon dinjiteti dhe janë poshtëruese”.
Rregullat e TikTok thonë se duhet të keni 1000 ndjekës përpara se të mund të dilni drejtpërdrejt, nuk duhet të kërkoni drejtpërdrejt dhurata dhe duhet të “parandaloni dëmtimin, rrezikimin ose shfrytëzimin” e të miturve në platformë.
Por kur BBC përdori sistemin brenda aplikacionit për të raportuar 30 llogari që shfaqin fëmijë duke lypur, TikTok tha se nuk kishte pasur shkelje të politikave të saj në asnjë prej rasteve.
Pasi BBC kontaktoi drejtpërdrejt me TikTok për koment, kompania i bllokoi të gjitha llogaritë.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga informacioni dhe pretendimet që na janë sjellë nga BBC dhe kemi ndërmarrë veprime të shpejta dhe rigoroze. Kjo lloj përmbajtjeje nuk lejohet në platformën tonë dhe ne po forcojmë më tej politikat tona globale rreth shfrytëzimit”, tha në një deklaratë TikTok.
TikTok, aplikacioni i mediave sociale me rritjen më të shpejtë në botë, ka bërë më shumë se 6.2 miliardë dollarë të ardhura bruto nga shpenzimet brenda aplikacionit që nga fillimi i tij në 2017, sipas kompanisë analitike Sensor Tower.
BBC ka folur me disa organizata që punojnë në Siri për të mbështetur familjet në kampe.
Një organizatë bamirëse lokale Takaful Alsham tha se do të sigurojë furnizime bazë për familjet për tre muajt e ardhshëm, duke i ndihmuar fëmijët të gjejnë shkolla dhe duke mbuluar shpenzimet e tyre arsimore.
Por për shumë në kampe, ka pak mundësi për të fituar para përveç lypjes në internet. Qindra familje vazhdojnë të jetojnë çdo ditë dhe shumica e parave të dhuruara shkojnë ende për TikTok.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




