Për shumë njerëz, ankthi social nis gjatë adoleshencës dhe me kalimin e kohës përkeqësohet aq shumë, saqë ndikon edhe në shkollim. Ky është rasti i Merit e cila kur nisi universitetin, shmangte situatat ku kishte grupe njerëzish dhe nuk krijoi miq gjatë viteve të studimit.
“Thjesht mendoja se askush nuk do të donte të më njihte”, tregon ajo.
Mary u diagnostikua me çrregullim ankthi social, një gjendje që mund të prekë deri në 12% të njerëzve në një moment të jetës. Një studim i Universitetit të Chichester-it ka zbuluar se më shumë se një e pesta e studentëve përballen me një formë ankthi social gjatë studimeve, e cila mund të lidhet me rezultate më të dobëta akademike, marrëdhënie më të dobëta dhe izolim.
Kur ankthi social bëhet problem?
Është normale të ndihesh i turpshëm ose në ankth kur takon njerëz të rinj apo përballesh me një situatë të panjohur. Problemi shfaqet kur ankthi fillon të pengojë jetën e përditshme dhe aktivitetet sociale.
Meri përshkruan ndjesi të forta fizike gjatë bisedave me njerëz të rinj: nxehtësi në fytyrë, mpirje të duarve dhe vështirësi për të formuluar fjalët.
Pas situatave sociale, ajo shpesh mendonte se kishte bërë diçka të tmerrshme dhe përjetonte turp të fortë.
Neil Greening, kryetar i Social Anxiety Alliance UK, thotë se shumë njerëz me ankth social e shohin atë si një të metë personale, në vend që ta konsiderojnë si një gjendje për të cilën mund të kërkohet ndihmë.
Zakone që mund ta përkeqësojnë ankthin
Sipas psikologut David Clark nga Universiteti i Oksfordit, njerëzit me ankth social shpesh përqendrohen vazhdimisht te vetja gjatë ndërveprimeve.
“A po skuqem? A po dukem budalla? A po dukem i shqetësuar?” janë disa nga pyetjet që mund t’u kalojnë në mendje.
Clark sugjeron që vëmendja të zhvendoset te biseda, personi tjetër ose mjedisi përreth.
Një tjetër sjellje që mund ta mbajë gjallë ankthin është shmangia ose përdorimi i “sjelljeve mbrojtëse”, si përgatitja paraprake e çdo fjalie, shmangia e kontaktit me sy apo qëndrimi pranë një personi të caktuar.
Ai sugjeron gjithashtu që frikërat të testohen gradualisht, për shembull duke bërë një pyetje në një mbledhje ose duke folur në një grup dhe duke vëzhguar se çfarë ndodh realisht.
Një tjetër zakon që duhet shmangur është analizimi i tepërt i një situate pasi ajo ka përfunduar. Sipas Clark, është e lehtë që kujtimet për një ndërveprim të shtrembërohen nga ankthi.
Si mund të ndihmoni veten?
Meri kërkoi mbështetje pas përfundimit të studimeve universitare dhe iu nënshtrua terapisë njohëse-sjellore (CBT), e cila konsiderohet trajtim standard për ankthin social.
Ajo thotë se terapia e ndihmoi, por po aq të rëndësishme ishin edhe përpjekjet për të përfshirë gradualisht më shumë ndërveprime sociale në jetën e saj.
Sot, Meri vazhdon studimet pasuniversitare, është bashkuar me një grup astronomie dhe po përpiqet të përballet me situatat sociale në vend që t’i shmangë.
“Është ende e vështirë dhe jo gjithçka shkon siç dua unë, por po mësoj ta menaxhoj situatën”, thotë ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje