Rend dhe Ligj

Hakerat në sistemin e policisë, Rrumbullaku: Asgjë s’është ekspozuar, kemi 100% informacionin tonë

Gazeta Si – Sulmet kibernetike në sistemin e Policisë së Shtetit ditët e fundit, nuk kanë prekur të dhënat dhe nuk janë të ekspozura nga hakerët.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka deklaruar se nuk ka dalë asnjë sekret shtetëror, duke theksuar se sistemi nuk ka pësuar asnjë rrjedhje informacioni.

“Është një listë emrash, por pavarësisht se janë punonjës policie nuk kanë të bëjnë me informacion të klasifikuar sekret shtetëror dhe as me sistemet e Policisë së Shtetit, – tha Rrumbullaku. – Ne e disponpojmë 100% informacionin tonë, asgjë nuk është e ekspozuar pavarësisht deklaratave. Punonjësit e policisë vijojnë të kryejnë funksionet përkatëse”, shtoi ai.

LEXO EDHE:
Hakerët thyejnë sistemin ‘MEMEX’, publikojnë të dhënat policore për të dyshuarit shqiptarë

Kryepolici i vendit ka sqaruar edhe pretendimet se hakerat kanë në kontroll istemin sistemin “Deep Sea”.

“Sistemi në fjalë është motor kërkimi. Nuk ka informacion, nuk ka bazë të dhënash. Por ekspertiza do të japë fjalën e fundit. Nuk ka asnjë lloj frike. Punonjësit e policisë nuk janë në presionin e askujt. Gjithsecili vazhdon funksionin e tij përkatës”.

Në lidhje me zhdukjen e të shumë kërkuarit Ervis Martinaj, pa dhënë shumë detaje, Rrumbullaku tha se Policia e Shtetit po është në krye të detyrave të deleguara nga prokuroria.

“Kemi struktura të cilat po ndjekin rastin, jemi në ecuri të procesit. Jemi në krye të detyrave të deleguara nga prokuroria, punohet me grupe mikse. Nuk kam asgjë më tepër për të deklaruar”, shtoi Rrumbullaku pas takimit për prezantimin e projektit të OSBE kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Gjatë konferencës me temë “Lufta kundër trafikimit njerëzor”, Rrumbullaku ka nënvizuar nevojën për të pasur oficerë të aftë, të mirë trajnuar dhe kurajozë për t’u përballur me krimin e organizuar. Ai theksoi se ka kërkuar reformim të policisë, si ligjor, arsimor e strukturor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë