Rend dhe Ligj

Hakerët thyejnë sistemin ‘MEMEX’, publikojnë të dhënat policore për të dyshuarit shqiptarë

Gazeta Si - Një grup hakerësh të financuar nga Irani për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë, vijon të publikojë të dhëna sensitive të marra nga sistemet e goditura.

Grupi “Homeland Justice”, ka publikuar të dhënat e sistemit "MEMEX", i cili përmban listën e personave të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale në vend.

Në dosjet e publikuara nga “Homeland Justice”, janë emrat e mijëra shtetasve shqiptarëve që kanë probleme me drejtësinë.

Ndërsa në fund të çdo faqeje të secilit dokument, shkruhet “Albanian suspects”, “shqiptarët e dyshuar”.

"MEMEX" njihet edhe si Sistemi i Menaxhimit të Informacionit Kriminal dhe është mjeti kryesor në punën e Policisë së Shtetit. Ai mban të dhëna sekrete të policisë mbi çdo eksponent kriminal apo të dyshuar për krime.

Rreth 2 javë më parë, grupi i hakerëve iranianë, publikoi video nga disa pika kufitare dhe dhoma shoqërimi në komisariate, ndërsa më herët ata kishin publikuar të gjithë postën elektronike të ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Në 15 korrik dhe 9 shtator, sistemet digjitale qeveritare shqiptare u sulmuan, duke shkaktuar një ndërprerje të shërbimit për mijëra qytetarë në vend.

Pas rikthimit të shërbimeve, kryeministri Edi Rama njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, duke e akuzuar se qëndronte prapa këtij sulmi.

Një raport i kompanisë Microsoft konfirmoi se pas sulmeve kibernetike në Shqipëri qëndronin pikërisht hakerat iranianë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë