Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka tkurrur ndjeshëm parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë vitit të ardhshëm. Rishikimi në ulje ka ndodhur dy herë brenda një kohe të shkurtër, duke e çuar në rreth 2%.
Në raportin e “Pasqyrës Ekonomike Globale”, vendi pritej që të zgjerohej me 2.5% gjatë vitit 2023, nga 2.8% që ishte pritshmëria në raportin e prillit. Në raport përmendet që ky vlerësim është bërë përpara vizitës së misionit.
Por pas misionit të fundit në Shqipëri, FMN ka rishikuar sërish në ulje pritshmërinë për performancën e ekonomisë, duke e zbritur në rreth 2%.
“Pas një rritje të lartë në vitin 2021, ekonomia shqiptare ka mbajtur një ritëm pozitiv këtë vit, pavarësisht goditjes që ekonomia globale ka marrë nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Ne parashikojmë që rritja ekonomike për vitin 2022 të jetë 3.7 për qind, mbështetur nga një aktivitet i lartë në turizëm, në pasuritë e paluajtshme dhe tek shërbimet. Rritja parashikohet të ngadalësohet në rreth 2 për qind në vitin 2023, duke pasqyruar kushte financiare më të shtrënguara, ngadalësimin në Europë, dhe tërheqjen e nevojshme të politikave mbështetëse”, thuhej në deklaratën e FMN-së.
Inflacioni, sipas pasqyrës ekonomike globale pritet të jetë mesatarisht 6.2% këtë vit, duke u ngadalësuar në 4.3% vitin e ardhshëm dhe vetëm pas 2023-it do të shkojë në objektivin e BSH-së prej rreth 3%.
“Norma e inflacionit pritet të arrijë kulmin në muajt në vijim, duke filluar uljen vetëm në vitin 2023 dhe të kthehet në objektivin prej 3 për qind e Bankës së Shqipërisë nga mesi i 2024, kur çmimet ndërkombëtare të mallrave të bursës të stabilizohen, politika fiskale dhe monetare të shtrëngohen dhe rritja ekonomike të ngadalësohet. Parashikimet tona të tanishme supozojnë se norma bazë e interesit do të rritet në 3-3.5 për qind në vitin 2022 dhe 4-4.5 për qind në vitin 2023”, thuhet në deklaratën e misionit të FMN-së në Shqipëri.
Rritja më e ulët në rajon
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria pritet që të ketë ritmet më të ulëta të rritjes vitin e ardhshëm, së bashku me Bosnjë Hercegovinën, të dyja me rreth 2%. Zgjerimin më të fortë parashikohet ta ketë Kosova, me 3.5%, Maqedonia e Veriut, me 3%, Mali i Zi me 2.5 dhe Serbia me 2.7%.
Për të gjitha këto vende FMN ka rishikuar për poshtë rritjen ekonomike, si rrjedhojë e pasojave që do të sjellë ngadalësimi i ekonomisë në Europë dhe çmimet e larta. Vlerësimi më i ulët për ekonominë shqiptare lidhet me politikën shtrënguese fiskale që pritet të ndiqet në vitin 2023.
Ulet ndjeshëm parashikimi edhe për ekonominë globale
Politika e Kinës me zero Covid dhe tregu i brishtë i banesave, nevoja për të rritur normat e interesit për të kontrolluar inflacionin në ekonomitë e përparuara dhe çmimet më të larta të energjisë dhe ushqimeve pas pushtimit rus të Ukrainës do të ulin rritjen ekonomike botërore nga 3.2 për qind në 2022 në 2.7 për qind në vijim vit, parashikoi fondi.
Parashikimi i rritjes për vitin 2023 është më i ulëti që ka publikuar FMN që nga viti 2001, përveç viteve të pandemisë së koronavirusit dhe pas krizës financiare globale.

Ekonomistët e fondit gjykuan se ka 25 pë qind shanse që ekonomia botërore të performonte më keq se parashikimi i saj bazë, pra që rritja të binte nën 2 për qind.
Fondi parashikon se inflacioni në ekonomitë e zhvilluara do të arrijë në 7.2 për qind këtë vit dhe 4.4 për qind vitin e ardhshëm, të dyja më shumë se 1 pikë përqindjeje më të larta se parashikimet e mëparshme të prillit për vitin 2023. Për ekonomitë në zhvillim , rritja e çmimeve të konsumit do të arrijë kulmin në gati 10 për qind këtë vit përpara se të zbutet në 8.1 për qind në 2023.
FMN-ja pranoi se ekzistonte një shans për të shtrënguar shumë politikën monetare, por ajo tha se rreziqet e këtij shtrëngimi nuk ishin aq serioze sa të lejohet që inflacioni të kthehet në një fenomen të përditshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




