Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ia ka lënë në dorë Sali Berishës emrat për kandidatë në zgjedhjet e ardhshme lokale, por ka një afat.
Ai i lëshoi piskamat e para në konferencën për shtyp kur u pyet për emra të përfolur jozyrtarisht në radhët e PD, por edhe për nismën e fundit të grupit ‘Alibeaj” për negociata me palën tjetër në parti.
I pyetur nëse do ta mbështeste emrin e lakuar ditët e fundit të Ilir Alimehmetit si një kandidat i mundshëm për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të 2023, Meta u përgjigj:
“Nuk mund të hyj në çështje emrash se nuk është përgjegjësi e imja emri, as në Tiranë asgjëkundi në Shqipëri. Unë nuk hyj e nuk ndikoj në këto cështje kur përgjegjësinë e ka marrë një lider tjetër e uroj ta zgjidhë këtë gjë sa më shpejt. Kjo çështje ka përfunduar për Tiranën e gjithë Shqipërinë. Nëse ka ndonjë kandidat nga PL që mendon se ka aftësinë për të fituar mbështetjen e opozitës unë do angazhohesha, objektivi ynë janë këshillat, do i kthejmë në parlamente lolake do jetë më i rëndësishëm “parlamenti bashkiak i Tiranës se sa ky i 25 prillit, do dëgjohet fuqishëm zëri i qytetarëve të Tiranës. Do shpëtojnë përgjithmonë nga arroganca shtypja, intimidimi, nga gjobat pafund që marrin cdo ditë e gjithë ky represion”, tha Meta.
Duke folur për çështjen tjetër atë të negociatave brenda PD dhe se a cenon ky bashkëpunim aleancën me Metën, ai sërish lëshoi një sinjal:
“Aleanca e Ilir Metës është me qytetarët e Shqipërisë sa i përket problemeve të brendshme në PD jam përpjekur ti mbaj të bashkuar. E nxora unë nga çadra PD, ishte pjesë e një skenari mes Ramës e Bashës, edhe para 17 majit të famshëm. S’dua të hyj në çështjet e brendshme të PD. Kemi raportin me qytetarët, s’kemi raport të pandryshueshëm me askënd tjetër. Se ku qëndrojnë tjerët e kanë treguar dhe do e tregojnë në të ardhmen”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.