Politike

Grupi “Alibeaj”: Bardhi të negociojë me Berishën por edhe aleatët për një kandidat në zgjedhje  

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ai i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj ka mandatuar Gazment Bardhin për të negociuar me palën tjetër në PD për zgjedhjet e ardhshme lokale. Në deklaratën e grupit Alibeaj nuk përmendet nominalisht emri i Sali Berishës për të negociuar, por e gjithë PD-ja. Negociatat ata kërkojnë që të shtrihen edhe tek aleatët edhe pse këtë gjë e ka bërë më herët Sali Berisha   

“Deputetët në mënyrë unanime shprehën vullnetin e plotë dhe të sinqertë për të gjetur format e duhura të bashkëpunimit për zgjedhjet lokale fillimisht duke nisur me të gjithë Partinë Demokratike dhe me çdo faktor opozitar.

 Në vlerësimin e Grupit Parlamentar të PD zgjidhje e vetme për t'u përballur me regjimin e Edi Ramës në zgjedhjet lokale është bashkimi i cdo zëri opozitar dhe përballja me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës në zgjedhje.

 Me qëllim diskutimin e cdo mundësie të sinqertë për bashkëpunim, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka mandatuar zotin Gazment Bardhi për të kontaktuar dhe për të hulumtuar cdo mundësi bashkëpunimi dhe daljes në zgjedhje lokale me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës.

 Grupi Parlamentar i PD shpreh gadishmërinë për të nisur që sot nga puna për të gjetur modalitetet e bashkëpunimit mes demokratëve në zgjedhjet lokale”, thuhet në deklaratën e grupit të Alibeajt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë