Gazeta Si – Procesi i Vettingut i nisur 5 vjet më parë në Shqipëri, ka nisur të kërkohet për t’u implementuar edhe në Kosovë ditët e fundit.
Rasti i trafikimit dhe dhunimit të një vajze të mitur nga persona me rekorde kriminale dhe të lënë të lirë nga drejtësia, ka nxitur kryeministrin Kurti dhe ministren e Drejtësisë të dorëzojnë në Kuvend një projektligjin për Reformën në Drejtësi.
Në shënjestër do të ishin gjyqtarë e prokurorë të akuzuar për “neglizhencë, mosveprim dhe pandeshkueshmëri”.
Por a është gati Kosova për zbatimin e një projektligjit të tillë si në Shqipëri, i cili ka nxjerrë në pah kompleksitetin e rindërtimit të një arkitekture gjyqësore “nga rrënjët”.
Edhe pse në parim procesi i Vettingut në Shqipëri synon dhënien fund korrupsionit në drejtësi, ai aktualisht po zvarrit dhënien e drejtësisë për qytetarët shqiptarë.
Duke parë problemet e mprehta ligjore, modeli i krijimit të një gjyqësori në lartësinë e duhur, duket skeptik për t’u marrë si shembull edhe në Kosovë.
Edhe pse mosrealizimi i Vettingut nuk ndihmon në përpjekjen e sundimit të ligjit, raportet e KE-së thonë se ndërmarrja e një ri-vlerësimi të të gjithë prokurorëve e gjyqtarëve në Kosovë ka problemet e saj.
Në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, pjesa për Kosovën, nuk u vlerësua me nota të mira nisma e qeverisë së Kosovës që të ketë Vetting të tërësishëm në sistemin e drejtësisë.
Në raport u tha, se “qeveria e re është duke konsideruar disa opsione për procesin e vettingut”, dhe sipas raportit “ndërmarrja e një ri-vlerësimi të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve është brengosëse dhe paraqet një burim shqetësimi serioz”.
Kjo doli në pah edhe nga deklarata e Komisionerit për Politikën e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Oliver Varhelyi në konferencën për shtyp në vijim të Këshillit të katërt të stabilizim-asocimit BE-Kosovë.
“Ne e kemi bërë të qartë që jemi në favor të një sistemi drejtësie të pavaruar që u ofron drejtësi qytetarëve. Kemi investuar fort politikisht dhe financiarisht për të krijuar një sistem drejtësie që është në lartësinë e vlerave që përfaqëson Bashkimin Europian. Ne po angazhohemi me qeverinë e Kosovës për të parë se si procesi i quajtur Vetting mund të kontribuojë për arritjen e këtij qëllimi, por nuk mendojmë, se është nevoja për të plotësuar të gjithë sistemin e drejtësisë”, – tha ai në fund të dhjetorit të shkuar.
Duke cituar dhe shembullin e Shqipërisë, Varhelyi saktësoi se nuk nevojitet një operacion kaq i madh në Kosovë, “pasi themelet dhe baza e sistemit janë në nivelin e standardeve tona. Por ne jemi të gatshëm të ulemi e bisedojmë, se ku mund dhe duhet të bëhen përmirësime”, – shtoi Komisioneri europian.
Pavarësisht reformave dhe nismave të ndryshme, edhe në raport me marrëdhëniet me Beogradin, duket se qeveria e Albin Kurtit nuk e ka bindur faktorin ndërkombëtar për nisjen e një procesi të tillë.
Në fakt, qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar koncept dokumentin për Vettingun dhe ka ngarkuar një grup pune për hartimin e amendamenteve kushtetuese, si një hap më tej drejt realizimit të reformës në drejtësi.
Por një reformë e tillë e kërkuar së fundmi me ngulm, kërkon kapacitete dhe aftësi menaxhuese të të gjithë aktorëve, siç ndodhi në Shqipëri dhe duhet mbështetur nga BE-SHBA.
Me një demokraci të brishtë dhe institucione ende të pastabilizuara, Kosova së pari duhet të kalojë në disa faza të rëndësishme transformimi.
Ajo duhet të përforcojë elementët kyç për rrugëtimin në integrimin europian, që do të kishte si objektiv përfundimtar anëtarësimin në BE.
Shembulli i Shqipërisë duhet ndjekur në kohën e duhur, edhe pse 5 vjet pas fillimit, ky proces reflekton probleme të mprehta me ngecjen e një numri të madh të çështjeve të pazgjidhura, drejtësi jo cilësore në marrjen e vendimeve dhe sfidën e zëvendësimit të gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar me ata të rinj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




