Kosova

A mund të dështojë vettingu? – Avokatët kërkojnë që procesi të përkrahet nga të gjitha partitë

Avokatët në Kosovë konsiderojnë që implementimi i procesit të vettingut në drejtësi është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i domosdoshëm.

Sipas tyre ka gjasa që gjyqtarë e prokurorë që mbrapa tyre kanë “afera”, të largohen nga sistemi.

Avokati Tomë Gashi në një intervistë shprehet se me implementimin e vettingut do të pastrohet sistemi juridik i Kosovës, për të cilin ai thotë se nuk ka aspak besueshmëri.

Tomë Gashi

“Besoj që tani të gjithë e dinë që vettingu është i vetmi instrument ligjor të cilin po e përdor Qeveria Kurti dhe së shpejti do të fillojë implementimi i këtij projekti për t’u pastruar definitivisht një herë e përgjithmonë sistemi juridik i Kosovës i cili thuajse aspak apo vetëm pak ka besueshmëri.

Mendoj se në një situatë të tillë kemi arritur për shumë arsye, e një prej shkaqeve është se edhe zyrtarë të lartë politikë në të kaluarën thuajse kanë deleguar gjyqtarë e prokurorë duke i ndihmuar ata që të emërohen në pozita kyçe e pastaj një pjesë e tyre ka mundur të jetë krejtësisht e instrumentalizuar.”

Ai thotë se këtë proces do të duhej ta përkrahte secila parti pasi është në të mirë të përgjithshme.

Skënder Musa

Ndërsa avokati Skënder Musa tha se procesi i vettingut në Kosovë është i domosdoshëm por ka gjasa të dështojë për shkak se partitë politike nuk po gjejnë kompromis ndërmjet tyre.

Ai gjithashtu thotë se ka mundësi që një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve të largohen vetë.

“Gjithashtu ka prokurorë dhe gjyqtarë të cilët nuk kanë kurrfarë performance për të qëndruar në pozitat të cilat i kanë marrë dhe për të cilat konsideroj që i kanë marrë pa meritë. Një pjesë e madhe e prokurorëve dhe gjyqtarëve të cilët e dinë veten që nuk janë për ato pozita apo që janë të ngarkuar me ndonjë hipotekë qoftë korruptive apo politike, besoj që do të largohen edhe vetë”. /EO


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë