Gazeta Si – Punimet e Kuvendit javën e ardhshme do të nisin këtë shtator me nismën e PD dhe PS për të ndryshuar ligjin e hapjes së Dosjeve të Bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit.
Por në Konferencën e Kryetarëve është miratuar për t’u futur në kalendar edhe kërkesa e PD për heqjen e mandatit të socialistes Olta Xhaçka.
Sa i takon çështjes së lustracionit, propozimi vjen vetëm një muaj pasi autoriteti paraqiti dokumentet, duke deklaruar se ish presidenti Ilir Meta ka qenë bashkëpunëtor me sigurimin para vitit 1990.
Por për shkak të marrjes së certifikatës së pastërtisë prej komisionit Bezhani, autoriteti nuk mund të bëjë verifikime të tjera.
Tashmë mazhoranca kërkon riverifikimin e të gjitha figurave, por duke shtuar se cilido që rezulton të ketë qenë bashkëpunëtor, nuk duhet të kandidojë për deputet, kryetar bashkie apo në institucione shtetërore.
Nga ana tjetër, PD kërkon heqjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka me pretendimin se ka ndikuar me postin e saj në kabinetin qeveritar për t’i dhënë bashkëshortit shfrytëzimin e pronës publike në bregdetin e Himarës.
Akuzat e opozitës janë se ajo do të të përfitonte nga paratë publike për të investuar 5.5 mln euro një hotel me 5 yje.
Në rast se PS nuk do ta ‘dorëzojë’ ministren Xhaçka, atëherë PD me 28 firma ka edhe një mundësi për t’u drejtuar Kushtetueses.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.