Politike

Mandati i Olta Xhaçkës / Nikolla shtyn seancën, Bardhi e akuzon: Ke 2 muaj që e mbron ministren

Në Kuvend u zhvillua mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin  për t’i hequr mandatin deputetes dhe ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, por edhe këtë të premte nuk pati asnjë vendim.

Vetë ministrja nuk u paraqit në seancën dëgjimore, por u përfaqësua sërish nga avokati i saj.

Edhe deputeti Gazmend Bardhi është përplasur me kryetaren e Kuvendit, e cila e shtyu mbledhjen për një javë, ndërsa i tha se vazhdon të mbrojë Olta Xhaçkën duke e zgjatur këtë proces 2 muaj, ndërkohë që një deputete në shkelje të Kushtetutës qëndron në Parlament.

“Seancën e kaluar, siç unë e kisha kërkuar duhet të operonim me dëgjesën e zonjës ministre. E thirrët zonjën Xhaçka, ka të drejtën e saj që të përfaqësohet nga një avokat.

Kur jepet e drejtat për të dëgjuar përfshihet e drejta për të bërë pyetje. Në mënyrë që të kuptojmë dhe ne nëse kemi të drejtë apo jo. Ju u ngritët ikët dhe kjo nuk iu bën nder. Së pari juve dhe më pas parlamentit.

Të ikësh me bisht ndër shalë, nuk është pjesë e rregullores, nuk i shërben të vërtetës. E dëgjova me durim avokatin, por do të doja që t’i bëja disa pyetje. Të fshihesh nuk bëhet shërbim”, tha Alibeaj.

Për Agron Shehajn është e pa imagjinueshme sesi kryeministri shpalli investitor strategjik bashkëshortin e ministres dhe vetë ministren, por edhe përshtatja ligjore nga ana e kryeministri Rama për të realizuar përfitimin e familjes Xhaçka si investitor strategjik.

“Ata përfitojnë faljen e taksave për 10 vjet, përfitimin e rrugës, ujësjellësit, kanalizimit, dhe për 30 vjet tokën publike. Këto shkojnë në përfitime 1 milionë euro.

Kjo është arsyeja përse Xhaçka duhet hetuar nga SPAK dhe duhet hequr imuniteti nga Gjykata Kushtetuese fillimisht. Le ta shmangë Gjykata Kushtetuese këtë papajtueshmëri të zonjës Xhaçka me mandatin e deputetit”, tha Shehaj.

Shehaj tha se ministrja Olta Xhaçka ka shkelur me vetëdije Kushtetutën në lidhje me ligjin për investimet strategjike dhe ka kryer veprime fiktive për ta fshehur atë.

Shehaj deklaroi se ministrja Xhaçka ka paraqitur kunatën e saj si investitore strategjike dhe kjo provohet nga adresa e përbashkët e vëllait të saj dhe zonjës në fjalë, nga postimet në rrjetet sociale, si dhe nga intervistat e bashkëshortit të ministres.

Ndërsa Gazmend Bardhi i tha Lindita Nikollës se “ne jemi organ kolegjial dhe vendimet i marrim si organ kolegjial nuk i merr ti për ne. Ju keni dy muaj që e çoni këtë një javë e një javë e një javë ndërkohë që kemi një deputet”, tha ai.

Lindita Nikolla u përgjigj se “nuk kemi dy muaj ne kemi aq sa na lejon rregullorja”.

“Besoj se keni njoftuar zonjën Xhaçka dhe vetë avokatin për këtë seancë.  Si ka ardhur pa u njoftuar ai. Është njoftuar nga kryetarja e Kuvendit për seancën e sotme dhe i kishim lënë një javë kohë që nëse kishte parashtrime të në i paraqiste sot”, shtoi Bardhi, ndërsa Nikolla mbylli mbledhjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë