Politike

Para çeljes së sesionit parlamentar, Alibeaj mbledh deputetët në Kryesinë e Kuvendit

Gazeta Si - Para nisjes së sesionit të ri parlamentar, që çelet këtë pasdite në orën 18:00, Enkelejd Alibeaj mblodhi në Kryesinë e Kuvendit deputetët që e zgjodhën kryetar të grupit parlamentar të PD.

Sipas burimeve paraprake, në mbledhjen që nisi rreth orës 10:30, ishin të pranishëm 16 deputetë.

Grupi i Alibeajt ka njoftuar edhe një konferencë për mediat në orën 12:00, ku do të propozojë prioritetet e Partisë Demokratike për sesionin e rij parlamentar, që çelet sot nën orën 18:00.

Deputetët që kanë shprehur mbështetje për Alibeajn para disa ditësh e konfirmuan si kryetar grupi.

Ndërsa mbështetësit e Sali Berishës kanë zgjedhur si kryetar grupi Luçiano Boçin, ndonëse për këtë vendim pritet që të njoftohet përmes shkresave edhe Kuvendi.

Deri më tani në mbledhje kanë mbërritur: Zheni Gjergji, Dhurata Çupi, Arbi Agalliu, Saimir Korreshi, Gazment Bardhi, Dashnor Sula, Selaudin Jakupllari, Flutura Açka, Enkelejd Alibeaj, Andia Ulliri, Flamur Hoxha, Kreshnik Çollaku, Eralda Tase Bano, Bledion Nallbati, Agron Gjekmarkaj dhe  Helidon Bushati.

Sesion i ri parlamentar i gjen demokratët të ndarë në dy fronte, ata që mbështesin Albeajn dhe të tjerë që mbështesin Berishën.

Sot nis sesioni i ri parlamentar, ndërsa në sallën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, sot rikthehen sërish deputetët në orën 18:00.

Agjenda e ditës së sotme parashikon njoftime për çështjet e depozituara në Kuvend dhe programin një mujor të punës.

Socialistët kërkojnë ndryshimin e ligjit të dekriminalizimit ku sipas socialistëve, parashikohet pastrimi jo vetëm i radhëve të parlamentit, por gjithë politikës e institucioneve të pavarura nga ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, pritet të jetë çështja më e nxehtë e këtij sesioni.

Puna për reformën zgjedhore dhe atë territoriale do të vijojë në dy komisione bipartizane të ngritura për të punuar për to,  por në këto komisione demokratët janë të përfaqësuar nga ata që njihen si mbështetësit e Alibeajt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë